
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u dha një mesazh uniteti evropianëve të shtunën, duke deklaruar se Uashingtoni nuk ka ndërmend të braktisë aleancën transatlantike, por theksoi se udhëheqësit e Evropës kanë bërë një sërë gabimesh politike dhe duhet të ndryshojnë kurs.
Mesazhi i përgjithshëm i Rubios për bashkëpunim në Konferencën vjetore të Sigurisë në Mynih u prit relativisht mirë nga diplomatët dhe zyrtarët e sigurisë evropiane të pranishëm në takim.
Edhe pse Rubio herë pas here “thumboi” politikëbërësit evropianë, fjalimi i tij ishte në kontrast të fortë me adresimin e zëvendëspresidentit JD Vance në të njëjtin forum një vit më parë. Në atë kohë, Vance argumentoi se rreziku më i madh për kontinentin vinte nga censura dhe prapambetja demokratike brenda vetë BE-së, shkruan Reuters.
“Në një kohë kur titujt e gazetave lajmërojnë fundin e epokës transatlantike, le të bëhet e ditur dhe e qartë për të gjithë se ky nuk është as qëllimi dhe as dëshira jonë, sepse për ne amerikanët, shtëpia mund të jetë në hemisferën perëndimore, por ne do të jemi gjithmonë një fëmijë i Evropës,” i tha Rubio turmës.