
Rusia njofton zbulimin e një fushe gjigante nafte në Arktik. Gjiganti rus i energjisë Gazprom Neft ka zbuluar një fushë të re nafte në gadishullin Yamal, e cila është më e madhja e zbuluar në këtë rajon në tre dekada, sipas një njoftimi të kompanisë.
Zbulimi i ri ndodhet në zonën arktike të Rajonit Autonom Yamalo-Nenets, që është vendi i rezervave më të mëdha të gazit natyror në botë, por gjithashtu një rajon me potencial të konsiderueshëm nafte. Megjithatë, shpimi dhe eksplorimi janë sfidues, pasi gadishulli është pothuajse tërësisht i mbuluar nga permafrosti (toka e ngrirë).
Fusha është pjesë e një grumbullimi të madh nafte dhe gazi në pjesën jugore të gadishullit, sipas kompanisë. Ajo u zbulua pas tre vitesh eksplorimi, përfshirë kërkimet sizmike 2D dhe 3D si dhe modelimin gjeologjik dhe hidrodinamik.
Një pus vlerësimi i shpuar në një thellësi prej 2.7 km prodhoi rrjedha komerciale të naftës me përmbajtje të ulët squfuri dhe viskozitet të ulët, gaz dhe kondensatë. Rezervat e vlerësuara gjeologjike janë 55 milionë tonë, thuhej në njoftimin për shtyp të kompanisë.
Fusha u emërua sipas Aleksey Kontorovich, një prej themeluesve të shkollës shkencore ruse të gjeologjisë së naftës e gazit dhe gjeokimisë organike. Eksplorime shtesë do të kryhen për të kuptuar më mirë strukturën gjeologjike dhe potencialin e prodhimit, si dhe për të zhvilluar një plan nxjerrjeje.
“Ky zbulim – më i madhi për Yamal në 30 vitet e fundit – konfirmon se baza e burimeve të vendit tonë është larg të qenit plotësisht e eksploruar,” tha Aleksandr Dyukov, kryetar i bordit të Gazprom Neft.

Në një deklaratë të mërkurën. “Në zonën e Arktikut, Siberinë Lindore dhe shumë territore të tjera, mbeten mundësi për të zbuluar vendburime të reja të mëdha dhe ultra-të mëdha hidrokarburesh.”
Dyukov vuri në dukje se projekti do të ndihmojë në arritjen e qëllimeve të Strategjisë së Energjisë së Rusisë deri në vitin 2050, në të cilën zhvillimi i Arktikut është prioritet, dhe u zotua se kompania do të vazhdojë eksplorimin gjeologjik në të gjitha rajonet e saj të operimit.
Në Rusi, fushat e naftës konsiderohen si “të mëdha” nëse rezervat e rikuperueshme variojnë nga 30 deri në 300 milionë tonë, por për shumicën e vendeve evropiane, një fushë e madhësisë së Kontorovich do të ishte gjigante.
Shumë vende evropiane kanë rezerva totale shumë më të vogla se kjo fushë e vetme. Fusha e zbuluar së fundmi në Poloni, Wolin East, ka rezerva të rikuperueshme prej 22 milionë tonësh – më pak se gjysma e Kontorovich – duke e bërë atë më të madhen në historinë polake dhe zbulimin më të madh të Evropës në dekadën e fundit.