Vendosni fjalën kyçe....

Partitë e djathta në Evropë kërkojnë polici si ICE-ja në SHBA


Disa parti dhe politikanë të djathtë në Evropë kanë nxitur reagime të ashpra duke bërë thirrje për krijimin e një force policore në vendet e tyre të ngjashme me Agjencinë Amerikane të Emigrimit dhe Doganave (ICE).

ICE zbatojnë ligjet federale për kontrollin e kufijve, doganat, tregtinë dhe emigracionin, por është përfshirë në polemika pasi agjentët e saj vranë dy qytetarë amerikanë javët e fundit, gjatë një fushate të administratës Trump për dëbimin e emigrantëve të paautorizuar.

Megjithatë, kjo nuk ka zmbrapsur degën bavareze të partisë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) dhe partinë belge “Vlaams Belang” nga propozimi për një njësi policore të ngjashme me ICE-në, duke shkaktuar kritika të shumta nga kundërshtarët politikë.

Në janar, dega bavareze e AfD-së njoftoi planet për një njësi të veçantë brenda policisë bavareze që do të përqendrohej në dëbimin e emigrantëve pa dokumente, si pjesë e një sërë masash për të frenuar imigracionin e paautorizuar. Katrin Ebner-Steiner, udhëheqëse e grupit parlamentar të AfD-së, deklaroi: “Përveç fluturimeve të dëbimit të drejtuara nga shteti, ne po kërkojmë krijimin e një njësie azili, hetimi dhe dëbimi brenda policisë bavareze.” Megjithatë, Unioni i Policisë Bavareze tha se nuk ka asnjë bazë ligjore për një njësi të tillë.

Partia belge “Vlaams Belang” planifikon të dorëzojë një propozim të ngjashëm. Deputetja Francesca Van Belleghem hodhi poshtë krahasimin me ICE-në, duke thënë se njësia belge do të mbetej pjesë e policisë ekzistuese, megjithëse planet përfshijnë oficerë të specializuar në qytetet kryesore dhe zonat kufitare, të cilët do të kërkonin aktivisht emigrantët pa status ligjor.

Edhe në Francë, Éric Zemmour, themelues i partisë “Reconquête”, nuk e përjashtoi mundësinë që vendi të krijojë një forcë të ngjashme me ICE-në. “Do të duhej të përshtatej me Francën dhe institucionet franceze. Por do të duhet të jemi të pamëshirshëm,” tha ai për BFMTV.

Shkencëtarja politike Laura Jacobs nga Universiteti i Antwerpen-it vuri në dukje se partitë e ekstremit të djathtë shmangin shpesh lidhjen direkte me Trump, por “në fakt i referohen një force policore të ngjashme”, duke e futur këtë trend brenda një tendence më të gjerë të normalizimit të masave të rrepta kundër imigracionit, shkruan Politico.

Kundërshtarët politikë reaguan ashpër. Eurodeputeti Damian Boeselager nga partia e të Gjelbërve tha se njerëzit që promovojnë ide të tilla “ranë jashtë spektrit demokratik dhe nuk mund të normalizohen kurrë.” Bashkë-presidentja e “Të Majtës” në Parlamentin Evropian, Manon Aubry, shtoi: “Politikat e ekstremit të djathtë formojnë një kontinuum dhune që duhet kundërshtuar që në fillim. Nëse pranojmë modelin e ICE-së si pjesë të debatit politik, lufta është tashmë e humbur.”

BE-ja ka reaguar duke ashpërsuar politikën e saj të migracionit. Muajin e kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një strategji pesëvjeçare, duke theksuar “diplomacinë pohuese të migracionit” për të nxitur vendet e treta që të ndihmojnë në ndalimin e emigrantëve të paautorizuar dhe rikthimin e shtetasve që nuk kanë të drejtë qëndrimi.