Vendosni fjalën kyçe....

Balliu akuza policisë për dhunë në protestë: Më hodhën gaz në fytyrë, do të kërkojmë përgjegjësi



Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka komentuar protestën e djeshme të opozitës, duke akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim force dhe dhunë ndaj protestuesve.

Balliu deklaroi se gjatë përplasjeve pranë Kuvendit është goditur në fytyrë me një lëndë gazi, për të cilën tha se përdoret nga policia dhe mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore. Sipas tij, përdorimi i këtyre mjeteve ndaj qytetarëve përbën rrezik serioz.

Ai theksoi se nuk fajëson të gjithë efektivët e policisë, por një grup drejtuesish, për të cilët pretendoi se kanë dhënë urdhra për ndërhyrje të dhunshme. Deputeti demokrat përmendi me emra drejtues të policisë, duke i akuzuar për lidhje me afera dhe skandale, si dhe për mungesë reagimi në ngjarje të rënda të mëparshme.

Balliu pretendoi gjithashtu se gjatë protestës janë dhunuar qytetarë, përfshirë një person të sëmurë pranë Urës së Lanës, si dhe deputeti Bledjon Nallbati, për të cilin tha se po përpiqej të qetësonte situatën. Në deklaratën e tij, ai ngriti akuza të forta politike ndaj Partisë Socialiste dhe drejtuesve të saj, duke paralajmëruar se, sipas tij, përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

“Pati një moment te Kuvendi, ku përveç gazit më hodhën në fytyrë një lëndë gazi që kanë policët. Nuk mund t’u hidhen njerëzve ato lëndë, pasi mund t’i dëmtojnë përjetësisht. Por është e kuptueshme që policia të reagojë në atë formë, kur drejtohet nga kriminelë. Duhet të bëjmë kujdes kur flasim për këtë çështje, pasi nuk janë të gjithë policët njësoj, por ka një grup që ka ngritur Proda, i emëruar nga Ergys Agasi dhe pasardhës i Ardi Veliut”, u shpreh Balliu.

Ai shtoi se disa drejtues policie do të thirren në Komisionin e Sigurisë për të dhënë shpjegime lidhur me veprimet dhe urdhrat e dhënë gjatë protestës, ndërsa pretendoi se një pjesë e të arrestuarve janë dhunuar në qeli.

“Edhe Ilir Proda dhe Bizhga do të sillen në Komisionin e Sigurisë dhe do të duhet të japin llogari për telefonatat e tyre dhe për urdhrat që kanë marrë dhe dhënë. Një pjesë e të arrestuarve, më së shumti fëmijë, janë dhunuar në qeli. I garantoj se ata që i kanë dhunuar do të mbajnë përgjegjësi”, tha ai.

Nga ana e Policisë së Shtetit nuk ka pasur ende një reagim lidhur me këto akuza.