Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Jam proceduar nga policia për protestën, thirrje për pjesëmarrje më 20 shkurt



Nëpërmjet një postimi në Facebook, Belind Këlliçi ka reaguar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë, ku u regjistruan përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Ai njoftoi se është proceduar dhe marrë nën hetim nga Policia e Shtetit për organizimin e protestës dhe udhëheqjen e përplasjes me efektivët.

Këlliçi tregoi se këtë informacion e ka mësuar ndërsa ndodhej në Miçigan, gjatë një takimi me Robert Lulgjuraj në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”. Ai e cilëson veprimin e policisë si një “target politik” të “shërbëtorit të bandave”, Ilir Proda, dhe një mënyrë për të frikësuar opozitën edhe nga larg.

Në njoftimin e tij, Këlliçi shkruan:

“Ndërkohë që takoja mikun tim Robert Lulgjuraj në Qendrën Kulturore ‘Nënë Tereza’ në Miçigan, prokurorin shqiptaro-amerikan që garon për në Kongresin e SHBA nën rradhët e Partisë Republikane, mësoj se Policia e Shtetit në Tiranë, e drejtuar nga ushtari i krimit të organizuar Ilir Proda, më paska proceduar dhe marrë nën hetim për organizimin e protestës dhe udhëheqjen e përplasjes me efektivët e rendit!!!”

Ai shtoi se do të jetë “në vijën e parë” më 20 shkurt, duke ftuar qytetarët të dalin në shesh “jo për partitë politike, por për atdheun, për flamurin tonë kombëtar”.

Përveç thirrjes për pjesëmarrje, Këlliçi gjithashtu nënvizoi mbështetjen e tij për Robert Lulgjurajn në garën për Kongresin Amerikan:

“Gjej rastin të ftoj çdo shqiptar në shtetin e Miçiganit dhe kudo tjetër, të mbështesë me çdo mundësi Robert Lulgjurajn, në këtë shans historik, që një shqiptar të ulet në Kongresin Amerikan.”

Reagimi i Këlliçit vjen pas tensioneve të ditëve të fundit në Tiranë, ku protestat e opozitës janë shoqëruar me ndërhyrje të policisë dhe përplasje mes qytetarëve dhe efektivëve.