
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas protestës së djeshme, ku pati përplasje mes policisë dhe qytetarëve. Ai ka dënuar përdorimin e dhunës dhe ka akuzuar policinë se është “e kapur nga regjimi”.
Në një deklaratë për mediat, Blushi theksoi se Partia e Lirisë kërkon lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve të arrestuar dhe të “rrëmbyer”, siç i quajti ai.
“Në emër të Partisë së Lirisë shpreh mirënjohjen ndaj të gjithë shqiptarëve që mbrëmë tronditën nga themelet narkoshtetin. Zëri i tyre ishte zëri i një populli që është i vendosur dhe i gatshëm të mbrojë me çdo çmim të drejtat e tij”, tha Blushi.
Reagimi i tij vjen në një ditë ku tensionet politike janë rritur, pas protestës së opozitës dhe përplasjeve me policinë, gjatë së cilës disa qytetarë dhe efektivë policie mbetën të plagosur.