
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestën e zhvilluar dje nga opozita, ku pati përplasje mes policisë dhe protestuesve.
Përmes një postimi në “Facebook”, Bardhi akuzoi Ramën se “foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë”, duke shtuar se qetësia dhe siguria e tij “janë zhdukur nga frika dhe paniku”.
Ai u ndal edhe te ndërhyrja e policisë gjatë protestës, duke e cilësuar atë si një reagim që “reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit”, ndërsa shtoi se “Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset”.
Sipas Bardhit, kur pushteti “fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin”. Megjithatë, ai theksoi se vendosmëria e qytetarëve dhe e opozitës nuk mund të shuhet “as me ujë me piper, as me gaz lotsjellës, as me shkopinj gome”.
“Protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin”, shkruan Bardhi, duke përfunduar se “gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron”.
Reagimi i Bardhit vjen pasi kryeministri Rama ironizoi protestën e opozitës dhe bëri thirrje për ndëshkimin e autorëve të dhunës ndaj punonjësve të policisë.