
Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot në orën 17:00. Seanca pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pas mbledhjes me përfaqësuesit e partive politike, kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha, njoftoi se është arritur konsensus që në seancën konstituive nënkryetarët e Kuvendit të votohen në pako.
Sipas tij, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit do të vazhdohet me seancën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Rendi i ditës
Zyra për informim e Kuvendit ka bërë të ditur se pikat e rendit të ditës janë:
formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve;
betimi i deputetëve;
zgjedhja e kryetarit të Kuvendit;
zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ndryshimi i vetëm nga njoftimi i mëparshëm është ora e nisjes së seancës. Ajo nuk do të mbahet në orën 12:00, siç kishte kërkuar presidentja Vjosa Osmani, por në orën 17:00.
“Liderët e subjekteve politike kanë pranuar që mbledhja e seancës konstituive të mbahet në orën 17:00 dhe pastaj të vazhdohet me votimin e Qeverisë”, ka deklaruar Basha.
Shtyrja e orarit erdhi pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak se në Hagë do të mbahen deklaratat përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca e sotme pritet të shënojë zyrtarisht nisjen e legjislaturës së re dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja.