
Dy kompani nga Arabia Saudite dhe tre me bazë në Shtetet e Bashkuara pritet të bashkojnë forcat në një konsorcium të përbashkët për kërkimin e naftës dhe gazit, si edhe për prodhimin e energjisë në verilindje të Sirisë, sipas dy burimeve me dijeni të drejtpërdrejtë mbi planin.
Baker Hughes, Hunt Energy dhe Argent LNG parashikojnë të hyjnë në partneritet me kompanitë saudite ACWA Power dhe TAQA. Projekti do të përfshinte rreth katër deri në pesë blloqe kërkimi në zonën verilindore të vendit, thanë burimet.
Kjo nismë shihet si marrëveshja më e fundit në një valë investimesh të rëndësishme që po prekin ekonominë siriane, që prej rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad nga rebelët islamikë një vit më parë dhe pas lehtësimit të sanksioneve më të ashpra amerikane në dhjetor.
Pas 14 vitesh konflikti, sektori energjetik i Sirisë është rëndë i dëmtuar dhe kërkon investime me vlerë miliarda dollarë, fonde që autoritetet po përpiqen t’i sigurojnë nga partnerë të huaj.
Drejtori ekzekutiv i Argent LNG, Jonathan Bass, konfirmoi se kompanitë synojnë të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për projektin në javët në vijim.
“Jemi shumë të entuziazmuar që po konkretizojmë vizionin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa, për ta nxjerrë vendin nga errësira në dritë,” u shpreh Bass.
Një zëdhënës i Hunt Energy refuzoi të komentojë, ndërsa Baker Hughes, ACWA Power dhe TAQA nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Tre kompanitë amerikane kishin nënshkruar tashmë një memorandum mirëkuptimi me shtetin sirian në korrik, për hartimin e një plani master për sektorin energjetik.
“Nën një flamur sirian”
Deri së fundmi, pjesa lindore e Sirisë — ku tradicionalisht prodhohet pjesa më e madhe e naftës së vendit — kontrollohej nga Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët. Këto forca kanë rënë dakord të integrohen në strukturat shtetërore, pasi u zmbrapsën nga trupat qeveritare muajin e kaluar.
Bass, i cili ka qenë një mbështetës i hershëm i heqjes së sanksioneve amerikane ndaj Sirisë, tha se synimi i projektit është bashkimi i sirianëve përmes një ndarjeje të drejtë të burimeve natyrore.
“Ky zhvillim i ri, nën një flamur sirian, bashkon Lindjen dhe Perëndimin dhe e lidh vendin përmes përfitimeve ekonomike,” theksoi ai.
Sipas burimeve, përfaqësues të shumicës së kompanive zhvilluan takime në Siri në fillim të këtij muaji me Kompaninë Shtetërore Siriane të Naftës (SPC). Kreu i saj, Youssef Qeblawi, nuk iu përgjigj kërkesave për koment, shkruan Reuters.
Arabia Saudite, një nga mbështetëset kryesore të qeverisë së Ahmed al-Sharaa-s, njoftoi gjatë fundjavës investime shumë miliardëshe në transport, infrastrukturë dhe telekomunikacion në Siri. Ndërkohë, javën e kaluar, gjiganti amerikan i energjisë Chevron nënshkroi një marrëveshje paraprake për kërkimin e gazit në det të hapur, në partneritet me kompaninë katariane UCC Holding.