
Nga Adrian Thano
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pezullimi i një ministri apo zyrtari të lartë “paralizon institucionin” që ai drejton. Kjo është konceptualisht anti-shtetërore. Institucionet nuk janë persona. Ato nuk funksionojnë falë emrave. Funksionojnë falë ligjit, administratës, vazhdimësisë shtetërore.
Kur Kryeministri thotë se një pezullim “paralizon institucionin”, ai barazon shtetin me individin. Por funksioni publik nuk ka të bëjë me fatin personal të një zyrtari nën hetim.
E vërteta është shumë më e thjeshtë. Ti që e emëron ministrin, ke edhe fuqinë ta zëvendësosh. Përkohësisht apo përfundimisht, sapo lind dyshimi penal.
Askush nuk po i merr qeverisë vulat. Askush nuk po çmonton ministrinë apo Kryeministrinë nga bulevardi. Drejtësia nuk po thotë “institucioni” është fajtor. Po thotë qartë se një individ i caktuar është i dyshuar.
Si e sheh shtetin Kryeministri? Si zgjatim të individëve që e drejtojnë? Apo si institucion që qëndron mbi ta?
Tek një burrë shteti, reagimi do të ishte ekzaktësisht i kundërti. Sepse pezullimi për dyshim korrupsioni, përveçse kërkesë e drejtësisë, është edhe interes i drejtpërdrejtë i Kryeministrit. Për të mbrojtur integritetin e tij, të administratës, besimin publik. Pra është mekanizëm mbrojtës për institucionin, për shtetin, jo kërcënim ndaj tij.

Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme nuk u krijuan rastësisht, për shkelje periferike apo zyrtarë të vegjël. Ato e kanë të shkruar që në emërtim se janë të posaçme pikërisht për nivelin e lartë të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Ndryshe, pse quhen “të posaçme”? Ndryshe, pse u bë i gjithë ky investim, nëse jo për të hetuar pikërisht figura kyçe të qeverisjes?
Të pretendosh sot se ndërhyrja e drejtësisë në nivele të larta “paralizon institucionet”, do të thotë të mohosh arsyen për të cilën u ndërtua vetë ky sistem i ri drejtësie.
Në rastin Balluku, si figurë kyçe e qeverisë, me kompetenca të mëdha financiare dhe infrastrukturore, standardi i llogaridhënies duhet të ishte më i lartë, jo më i ulët. Aq më pak, të përdorej si justifikim për “ndërhyrje në legjislacion”!
Ka pasur raste që reagimet publike të Kryeministrit kanë qenë emocionale. Këto nuk janë. Janë deklarata të menduara dhe të përsëritura. Kanë peshë institucionale dhe përbëjnë presion të qartë publik mbi drejtësinë.
E njëjta drejtësi që deri dje shpallej nga vetë Rama si krenari kombëtare dhe si vepër historike e qeverisë së tij, sot shndërrohet në problem, sapo prek një figurë kyçe të kabinetit.
Me një fjalë drejtësia e re qenka instrument i vlefshëm vetëm sa kohë nuk cenon hierarkinë e pushtetit. Kur heton periferinë është reformë, kur prek qendrën, shpallet devijim, “budallallëk botëror”, rrezik për balancën e pushteteve.
Është e qartë që Kryeministri po mbron individin, jo institucionin. Aq më pak balancat. Arsyet i di ai. Mos qofshin ato që përfliten.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazetadita