Vendosni fjalën kyçe....

KE-ja “dush të ftohtë” Ramës për Ballukun: Kuvendi të shqyrtojë pa vonesë kërkesën për heqjen e imunitetit


Komisioni Evropian ka bërë sot një reagim të fortë publik, duke i bërë thirrje Parlamentit të së Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesën për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Sipas njoftimit të KE-së, shkelja e procedurave për këtë kërkesë dhe kapërcimi i saj në kohë të gjatë dëmton betejën kundër korrupsionit dhe përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

“Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj. Në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze”.

Çfarë ndodhi sot

Brukseli rikujtoi se Parlamenti shqiptar duhet të shqyrtojë urgjentisht kërkesat për heqje imuniteti, duke e cilësuar si një hap kyç për përforcimin e sundimit të ligjit.

Komisioni Evropian nënvizoi rëndësinë e një procesi të pavarur dhe efikas drejt luftës kundër korrupsionit – objekt ky që është një nga kërkesat kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

SPAK paraqiti në dhjetor 2025 kërkesën zyrtare për heqjen e imunitetit të Ballukut, me qëllim që ajo të mund të vihej nën masa sigurie, përfshirë edhe arrestin, sipas procedurave ligjore. SPAK e akuzon atë për “shkelje të barazisë në tendera publikë”, pjesërisht lidhur me ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe projekte të tjera infrastrukturore të mëdha.

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit i Kuvendit është mbledhur disa herë për të shqyrtuar këtë kërkesë, por vendimet janë shtyrë ose procesi ka ngecur për shkak të debatit procedural dhe kërkesave për kohë nga pala mbrojtëse.

Balluku ka qenë nën pezullim nga detyra pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme, por kërkesa e qeverisë për ta rishikuar këtë pezullim u dërgua para Gjykatës Kushtetuese, që në seancën e tretë konfirmoi pezullimin dhe hodhi poshtë apelin e qeverisë.

Opozita akuzon kryeministrin Edi Rama se mbron Ballukun dhe pengon proceset e drejtësisë. Ka pasur akuza të ashpra dhe debate politike brenda dhe jashtë Kuvendit për këtë çështje.