Vendosni fjalën kyçe....

Nis faza përfundimtare e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë



Sot nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku Prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe vetë të pandehurit do t’i drejtohen për herë të fundit trupit gjykues me parashtrimet e tyre përfundimtare.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata dhe mbrojtja e tyre i kanë cilësuar si të pabazuara. Avokatët kanë argumentuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese, duke hedhur poshtë pretendimet e aktakuzës.

Avokati i akredituar pranë Gjykatës Speciale në Hagë, Artan Çerkini, ka shpjeguar se gjatë periudhës nga 9 deri më 18 shkurt pritet të dëgjohen fjalët përmbyllëse të palëve, të cilat do të përmbledhin qëndrimet kryesore të Prokurorisë dhe mbrojtjes përpara vendimit të trupit gjykues.

Ish-eprorët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa këtë vit pritet të shënohet një moment vendimtar për fatin e katërshes, të cilët tashmë kanë kaluar rreth pesë vjet në paraburgim.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë me personel ndërkombëtar dhe seli në Hagë të Holandës. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i saj.