Vendosni fjalën kyçe....

Ditët e fundit në pushtet të Assad-it: Fiksimet seksuale, Candy Crush dhe vrasja e të dashurës së tij spiune


Revista amerikane The Atlantic publikoi një reportazh të detajuar mbi ditët e fundit të Bashar al-Assad-it si president i Sirisë, në prag të kolapsit të regjimit të tij.

Shkrimi, bazuar në dëshmi të ish-zyrtarëve të lartë sirianë, njerëzve të afërt me pallatin presidencial dhe një ish-zyrtari të shërbimeve izraelite, tregon një portret të Assad-it si një udhëheqës të shkëputur nga realiteti, i cili nuk besonte se pushteti i tij do shembej deri në çastet e fundit.

Sipas raportit, këshilltarja e ngushtë e Assad-it, Luna al-Shibl, ishte e dashura e tij dhe organizonte takime seksuale për të me gra të tjera, përfshirë bashkëshortet e oficerëve të lartë sirianë. Për Assad-in, kjo marrëdhënie ishte pjesë e botës së tij të brendshme, ndërsa jashtë, vendi po përjetonte shkatërrim.

Shkrimi thekson se më 7 dhjetor 2024, ndërsa forcat rebele po rrethonin Damaskun, Assad ende po siguronte ndihmësit dhe vartësit e tij se fitorja ishte pranë. Pak orë më vonë, ai u largua fshehurazi me një avion rus, pa paralajmëruar pothuajse askënd. Shumë nga ndihmësit e tij u mashtruan dhe u detyruan të iknin me çfarëdo mjeti të mundnin, ndërsa rebelët shënonin hyrjen në kryeqytet me të shtëna festive. Veprimi i Assad-it u perceptua nga shumë si tradhti e thellë.

Robert Worth, autori i shkrimit, e përshkruan Assad-in si të zhytur në obsesione seksuale dhe videolojëra, veçanërisht Candy Crush, ndërsa vendi i tij po shndërrohej në një “narko-shtet”, ku ekonomia varej nga prodhimi dhe trafiku i amfetaminës Captagon, nën mbikëqyrjen e vëllait të tij, Maher Assad. Ai largoi gardën e vjetër të epokës së babait të tij, Hafez Assad, dhe u mbështet te një rreth i vogël njerëzish të rinj dhe të dyshimtë, përfshirë Luna al-Shibl, ish-gazetare dhe këshilltare mediatike, e cila shërbente edhe si e dashura e tij.

Burime të brendshme dhe ish-zyrtarë izraelitë thanë se al-Shibl siguronte gratë për Assad-in dhe ushqente përbuzjen e tij ndaj qytetarëve të thjeshtë. Një regjistrim i zbuluar në dhjetor e tregon Assad-in duke u tallur me ushtarët dhe qytetarët e thjeshtë: “Ata shpenzojnë para për xhami, por nuk kanë ushqim të mjaftueshëm.”

Në korrik 2024, al-Shibl u gjet e vdekur në makinën e saj BMW jashtë Damaskut. Mediat shtetërore raportuan për një aksident, por rrethanat ishin të dyshimta: makina kishte dëmtime të vogla, ndërsa kafka e saj ishte e shtypur. Thashethemet thanë se ajo ishte vrarë për spiunazh në favor të Rusisë ose Iranit, por disa burime thanë se urdhri kishte ardhur nga Assad, pasi ajo dyshohej se jepte informacion mbi aktivitetet e Iranit në Siri.

Raporti tregon se gjatë vitit 2019, ish-zyrtari izraelit shqetësohej se Assad, dikur i rrezikshëm por i besueshëm, ishte bërë i dobët dhe i paqëndrueshëm. Regjimi shihej si “guaskë boshe”, ndërsa shumë vende të Lindjes së Mesme mbështesnin Assad-in për qetësinë relative që garantonte kufirin, duke e parë si armik të lehtë për t’u menaxhuar. Assad nuk e kuptonte këtë konsensus dhe jetonte në një “botë fantazie”, besonte se iranianët kishin nevojë për të dhe se ai ishte “mbreti”.

Kapitulli final i sundimit të Assad-it filloi në nëntor 2024. Kur rebelët u afruan drejt Aleppos më 27 nëntor, Assad ndodhej në Moskë, ku djali i tij po mbronte disertacionin e doktoraturës. Aleppo ra para se ai të kthehej në Damask. Më 7 dhjetor, ministrat e jashtëm rajonalë përpiqeshin të kontaktonin Assad-in, por telefoni i tij ishte i fikur. Assad dukej i vrenjtur dhe i shpresonte se forcat rajonale do ndërhynin

Rreth orës 18:00 të asaj dite, Assad u kthye në rezidencën e tij private në al-Malki, duke siguruar kushëririn e tij, Iyad Makhlouf, se nuk kishte arsye për shqetësim. Makhlouf u qëllua për vdekje më vonë në rrugë, ndërsa përgatitej të largohej drejt Libanit. Në orën 20:00 erdhi lajmi se edhe Homs-i kishte rënë, dhe paniku përhapet në radhët e Assad-it.

Rreth mesnatës, Mansour Azzam, ndihmës i lartë, mbërriti me një grup të vogël rusësh për të raportuar situatën. Ata i treguan Assad-it se forcat e tij nuk po luftonin më.

Rreth orës 02:00 të mëngjesit, Assad urdhëroi paketimin e sendeve dhe përgatitjen për largim. Ai, djali Hafez dhe dy ndihmësit e tij ishin të vetmit që u lejuan të largoheshin; të tjerëve iu tha se nuk kishte vend. Kur shoferi e pyeti: “Vërtet po na lini?”, Assad iu përgjigj se të tjerët e kishin tradhtuar duke refuzuar të luftonin për të. Ai u largua në errësirë, duke u marrë nga rusët, dhe sot jeton në Moskë me bashkëshorten Asma dhe fëmijët e tij, shkruan Ynet.

Qeveria e re e Sirisë, e udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa, po kërkon ekstradimin e Assad-it në këmbim të përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë, e cila ende mban baza ushtarake strategjike përgjatë bregdetit sirian.