Vendosni fjalën kyçe....

Të hënën fillon faza përmbyllëse e gjyqit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë



Të hënën nis etapa përmbyllëse e procesit më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë. Në këtë fazë, prokuroria, mbrojtja dhe të pandehurit do të paraqesin për herë të fundit argumentet dhe parashtrimet e tyre për trupin gjykues.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata dhe mbrojtja i kanë mohuar duke i cilësuar si të pabazuara. Mbrojtja argumenton se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të organizuar komanduese dhe se krimet që i atribuohen të akuzuarve nuk janë të provuara.

Seancat për deklaratat përmbyllëse janë caktuar të zhvillohen nga 9 deri më 13 shkurt në objektin e DHSK-së në Hagë. Për shkak të interesimit të lartë, vendet në galerinë për publikun janë të kufizuara, por seancat mund të ndiqen edhe online, në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe, me një vonesë prej 45 minutash.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë.

Gjatë vitit të kaluar janë organizuar disa protesta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg dhe Shkup, ndërsa një protestë e ngjashme pritet të mbahet në Prishtinë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.