Vendosni fjalën kyçe....

Hapen Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”, Shqipëria përfaqësohet me katër sportistë



Me një ceremoni hapëse të zhvilluar në stadiumin “San Siro” në Milano, janë çelur zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”. Ngjarja u shoqërua me elemente artistike, muzikë, balet dhe fishekzjarre, ndërsa në paradën e sportistëve morën pjesë rreth 5 mijë atletë nga e gjithë bota, të shpërndarë në 13 disiplina sportive dimërore.

Këto Lojëra Olimpike rikthehen në Itali pas 20 vitesh, pasi për herë të fundit u zhvilluan në Torino në vitin 2006. Flaka olimpike mbërriti në stadiumin “San Siro”, duke shënuar nisjen zyrtare të garave.

Shqipëria merr pjesë për herë të parë me katër sportistë në Lojërat Olimpike Dimërore. Delegacioni kuqezi përfaqësohet nga Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti. Parakalimi i Shqipërisë nuk u zhvillua në “San Siro”, pasi sportistët ishin të shpërndarë sipas zonave të garave. Në Cortina d’Ampezzo, flamurin shqiptar e mbajti Lara Colturi, ndërsa në Livigno, flamuri u mbajt nga Denni Xhepa.

Shpresat për një rezultat pozitiv lidhen me Lara Colturi, e cila aktualisht renditet e gjashta në Kupën e Botës në skitë alpine. Garat e saj janë planifikuar të zhvillohen më 15 dhe 18 shkurt.

Në ceremoninë hapëse morën pjesë 67 mijë spektatorë, ndërsa të gjitha biletat ishin të shitura. Programi artistik u hap me balerinët e Teatrit “La Scala”, ndërsa në skenë u ngjitën edhe artistë të njohur ndërkombëtarë. U zhvillua parada e delegacioneve, e cila nisi me Greqinë dhe u mbyll me Italinë, si vend pritës.

Gjatë parakalimit nuk munguan reagime nga publiku, përfshirë fërshëllima për delegacionin e Izraelit dhe për shfaqjen në ekran të zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance, ndërsa sportistët e Ukrainës u pritën me duartrokitje.

Në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” merr pjesë edhe Kosova, e përfaqësuar nga Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, me parakalimin e delegacionit të zhvilluar në Cortina dhe Livigno.

Në ceremoninë hapëse ishin të pranishëm edhe përfaqësues të lartë politikë, përfshirë zëvendëspresidentin e SHBA-së J.D. Vance, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, si dhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Garat olimpike do të zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt, ku sportistët do të garojnë për medalje në disiplinat dimërore.