
Aksi rrugor që lidh fshatin Senisht me qytetin e Maliqit vijon të jetë i pakalueshëm prej rreth tre muajsh, për shkak të çarjeve të tokës dhe rrëshqitjes së dherave. Si pasojë, tetë familje që jetojnë në këtë zonë janë izoluar, duke u detyruar të lëvizin vetëm në këmbë ose me kafshë pune, pasi automjetet nuk mund të qarkullojnë.
Banorët shprehen se kalimi në këtë rrugë është i pamundur dhe tepër i rrezikshëm, pasi nga shpati i malit vazhdojnë të bien gurë dhe dhera, edhe gjatë ecjes në këmbë. Ata theksojnë se çdo ditë përshkojnë distanca të gjata për të kryer nevojat bazë.
Sipas banorëve, gjendja ka mbetur e pandryshuar prej disa muajsh dhe vështirësitë shtohen sidomos në rastet kur ka persona të sëmurë, apo kur duhet të sigurojnë ushqime dhe të shkojnë në punë. Për këtë arsye, ata u kanë bërë thirrje institucioneve vendore dhe strukturave të emergjencave civile që të ndërhyjnë sa më parë, shkruan Shqiptarja.
Nga ana tjetër, Bashkia Maliq ka konfirmuar se është në dijeni të rrëshqitjes së dheut në këtë segment rrugor, i cili shtrihet në një gjatësi prej rreth 80 metrash. Megjithatë, sipas saj, kushtet e pafavorshme atmosferike e kanë pamundësuar ndërhyrjen me mjete të rënda.
Deri në një zgjidhje konkrete, banorët e Senishtit vijojnë të jetojnë në kushte izolimi, duke u përballur çdo ditë me vështirësi të mëdha për lëvizjen dhe furnizimin me ushqime.