Vendosni fjalën kyçe....

Tiranë/ Banesën e kishin kthyer në punishte droge, sekuestrohen 2200 tableta ekstazi, dy në pranga


Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të akuzuar për përgatitje dhe shitje të lëndëve narkotike, pasi kishin përshtatur një ambient në banesën e tyre për prodhimin e tabletave ekstazi (MDMA).

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Blue Punisher”, i finalizuar pas disa javësh hetime me metoda proaktive dhe nën drejtimin e Prokurorisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, banues në Tiranë dhe të afërm me njëri-tjetrin.

Gjatë ndërhyrjes në banesën e tyre në rrugën “Ali Demi”, shërbimet e Policisë konstatuan një ambient të përshtatur posaçërisht për përgatitjen e tabletave të lëndës narkotike ekstazi (MDMA), me qëllim shitjen në lokalet e natës.

Nga kontrolli në këtë ambient u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA), si edhe dy aparate celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.