
Në vitin 2025, më shumë se 7 mijë qytetarë janë diagnostikuar me kancer. Sëmundjet tumorale renditen të dytat për nga numri i rasteve dhe shkalla e vdekshmërisë, duke u renditur menjëherë pas patologjive kardiovaskulare. Aktualisht, rreth 16% e vdekjeve në Shqipëri lidhen drejtpërdrejt me kancerin.
Sipas të dhënave të përditësuara deri në vitin 2024, specialistët evidentojnë një shtim të disa llojeve të tumoreve, ku ndikim të konsiderueshëm ka edhe mënyra e jetesës. Tek burrat vërehet rritje e rasteve të kancerit të mushkërive, stomakut, prostatës dhe zorrës së trashë, raporton Voxnews.
Ndërkohë, tek gratë mbizotëron kanceri i gjirit, me rreth 800 diagnoza të reja çdo vit. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” konfirmon gjithashtu një rritje të ndjeshme të shtrimeve dhe trajtimeve për sëmundjet tumorale.
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, ka theksuar se forcimi i shërbimeve onkologjike dhe përmirësimi i trajtimit për pacientët me sëmundje të rënda përbën një prioritet personal. Ashtu si në nivel global, edhe në Shqipëri parashikohet një rritje e mëtejshme e rasteve me kancer, e ndikuar kryesisht nga plakja e popullsisë.
Statistikat tregojnë se burrat mbeten më të prekurit nga kanceri, me mbi 3 800 raste të reja gjatë vitit të fundit, ndërsa tek gratë janë regjistruar rreth 3 200 raste të reja.