
Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi e quajti dështim reformën territoriale të vitit 2015 ndërsa theksoi se e reja duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe nevojave të tyre e të mos përdoret për interesa politike.
I ftuar në Report Tv, ish-deputeti I bëri thirrje të mos e braktisë komisionin për reformën territoriale pasi kjo i shërben Ramës.
“U pretendua se do kurseheshin 80 milionë, por shpenzimet u shtuan në 140 milionë më tepër. U pretendua se do ulej numri i administratës dhe ajo do të bëhej më efiçente. Kjo reformë është përdorur edhe politikisht nga ana elektorale. Nga kjo pikëpamje duhet bërë një ndarje e re territoriale. Kjo nuk bëhet siç e mendojnë disa duke i dhënë një shans më të madh opozitës. Kjo bëhet për tu shërbyer qytetarëve, nuk ka rëndësi kush do fitojë. “Kështu do të vazhdojë kjo punë? Sa herë do bëhet një reformë afatgjatë, ata do të ikin për arsye dhe konjuktura momentale? Kush i pengon të jenë edhe në komision, por edhe të dalin në protestë. Përse sa herë që duhet tensionuar situata përdoret parlamenti? Po ti ofro një herë alternativën apo idenë tënde! Mbro interesin e qytetarëve se në fund të fundit, në këto 15 vjet a humbi gjë Rama se u tërhoq opozita nga reforma? Ai e bëri reformën siç pati qejf. E dyta, humbi gjë pse doli opozita nga zgjedhjet? Rama i fitoi zgjedhjet me ato votat e kryetarëve të bashkisë. Kush e bën këtë gabim nuk ka dëshirë për të ardhur opozita në pushtet. Sic duket kjo lloj simbioze pozitë-opozitë u pëlqeka të dy palëve. Kush po i pengon të rrinë dhe në komision dhe të dalin në protesta në bulevard? Unë uroj të prevalojë llogjika dhe arsyeja politike.” – tha Shehi.