
Ukraina u përball sërish me sulme ajrore ruse gjatë natës, duke i dhënë fund një pauze të shkurtër të luftimeve të rënë dakord mes Uashingtonit dhe Moskës. Në Kiev, banorët u detyruan të strehohen në stacionet e metrosë, ndërsa sirenat e alarmit ranë për orë të tëra, përcjell Euronews.
Rrjeti i metrosë, i ndërtuar që në periudhën sovjetike, vazhdon të shërbejë si strehë civile gjatë bombardimeve, ku platformat përdoren për fjetje dhe qytetarët kanë akses në ujë dhe tualete.
Sipas shërbimeve të emergjencës, të paktën tre persona u plagosën në kryeqytet. Zjarre shpërthyen në disa zona, përfshirë një apartament në katin e 26-të të një pallati banimi në distriktin Darnytskyi. Goditje u raportuan edhe në Shevchenkivskyi dhe Dniprovskyi, ndërsa në Pecherskyi u dëmtuan një pikë karburanti dhe disa automjete. Të gjitha zjarret u shuan më vonë.
Sulme janë raportuar gjithashtu në qytetet Kharkiv, Sumy dhe Dnipro, duke nxjerrë në pah brishtësinë e pauzës së përkohshme të luftimeve.