
Laura Fernández, një ish-ministre 39-vjeçare dhe pasardhësja e zgjedhur me kujdes e Presidentit në largim Rodrigo Chaves, hedh votën e saj të dielën
Laura Fernández, një figurë populiste e krahut të djathtë që ka premtuar masa të ashpra kundër krimit të lidhur me trafikun e drogës, është në prag të fitores në zgjedhjet presidenciale të Kosta Rikës, sipas rezultateve paraprake zyrtare.
Fernández, 39 vjeçe, ish-ministre dhe pasuese politike e zgjedhur nga presidenti në largim Rodrigo Chaves, ka siguruar 48.5 për qind të votave, duke kapërcyer pragun prej 40 për qind që nevojitet për fitore në raundin e parë. Të dhënat bazohen në numërimin e 88 për qind të qendrave të votimit, njoftoi Tribunali Zgjedhor të dielën në mbrëmje.
Rivali i saj më i afërt, Álvaro Ramos, ekonomist centrist, mori 33.3 për qind të votave në një garë të fragmentuar ku konkurruan gjithsej 20 kandidatë. Rreth 30 për qind e elektoratit zgjodhi të mos marrë pjesë në votim.
Sipas Orlando Pérez, profesor i shkencave politike në Universitetin e Teksasit të Veriut në Dallas, këto zgjedhje presidenciale u përcaktuan kryesisht nga çështja e sigurisë. Ai vuri në dukje se Ramos pati mbështetje më të fortë në zonat urbane, ndërsa Fernández dominoi ndjeshëm në zonat rurale.
Vitet e fundit, Kosta Rika është shndërruar në një korridor kyç të trafikimit të drogës dhe është bërë bazë për një grup kriminal transnacional të njohur si “Karteli i Karaibeve Jugore”. Presidenti Chaves, i cili nuk kishte të drejtë të kandidonte për një mandat të dytë, kishte nisur ndërtimin e një mega-burgu të frymëzuar nga modeli i El Salvadorit.
Megjithatë, premtimi i Fernández për të vijuar axhendën e Chaves-it ka ngjallur shqetësime se qeverisja e saj mund të dëmtojë institucionet demokratike të një vendi që dikur shihej si “Zvicra” e një rajoni të paqëndrueshëm, por që tani po përballet me rritje të ndjeshme të kriminalitetit.
“Ishin zgjedhjet më vendimtare në historinë tonë që prej vitit 1949,” deklaroi ish-presidentja Laura Chinchilla, duke iu referuar miratimit të kushtetutës së re dhe shfuqizimit të ushtrisë pas luftës civile të shkurtër. “Pasojat mund të shënojnë një pikë kthese për demokracinë dhe institucionet tona,” shtoi ajo.
Lëvizjet konservatore anti-establishment – shpesh të mbështetura nga presidenti amerikan Donald Trump – kanë fituar terren në mbarë Amerikën Latine, përfshirë Argjentinën, Kilin dhe El Salvadorin. Gjatë këtij viti pritet të mbahen zgjedhje presidenciale edhe në Peru, Kolumbi dhe Brazil.
Kosta Rika regjistroi 873 vrasje vitin e kaluar, një shifër pranë rekordit historik, me rreth 17 vrasje për çdo 100 mijë banorë.
Presidenti në largim Chaves, i cili brenda gjashtë muajve i shpëtoi dy përpjekjeve për heqjen e imunitetit presidencial për t’u përballur me akuza ligjore – të cilat ai i mohon – ka akuzuar gjyqtarët për mungesë ashpërsie në dënime. Muajin e kaluar, ai nisi ndërtimin e një burgu të sigurisë së lartë, të modeluar sipas CECOT-it të El Salvadorit.
Presidenti salvadorian Nayib Bukele, i cili ka ulur ndjeshëm kriminalitetin në vendin e tij përmes politikave autoritare, njoftoi në platformën X se e kishte uruar Fernández-in personalisht përmes një telefonate.
Sipas Pérez, shqetësimi kryesor është se politikat e sigurisë dhe qasja e ashtuquajtur “mano dura” (dorë e hekurt) mund të çojnë në cenimin gradual të të drejtave themelore. “A do të shndërrohet Kosta Rika brenda natës në El Salvador apo diçka më keqe? Jo,” tha ai. “Por ekziston frika se obsesioni me sigurinë do të zgjerojë kompetencat e ekzekutivit dhe do të dobësojë kontrollin parlamentar.”
Ndërkohë, Partia Populli Sovran e Fernández-it pritet të fitojë 31 nga 57 vendet në Asamblenë Legjislative, duke mbetur pak nën pragun prej 40 vendesh të nevojshme për një super-shumicë që do t’i lejonte ndryshime kushtetuese.
Fernández ka argumentuar se një super-shumicë është thelbësore për të kaluar ligje që, sipas saj, janë bllokuar nga asambleja, përfshirë masa për dënime më të rënda ndaj krimit. Kritikët druajnë se synimi i saj është të ushtrojë kontroll mbi sistemin gjyqësor. Qeveria aktuale zotëron vetëm tetë vende parlamentare.
Chaves, i cili muajin e kaluar pretendoi se kishte qenë objekt i një komploti për vrasje, ka sulmuar ashpër atë që e ka quajtur “tirania e përsosur” e institucioneve shtetërore dhe ka kritikuar hapur mediat.
Fernández ka premtuar se do t’i japë Chaves-it një rol kyç në administratën e saj si “shef kabineti dhe koordinator i të gjitha reformave të mbetura dhe të domosdoshme”.
James Bosworth, nga “Latin America Risk Report”, vuri në dukje se retorika e fortë kundër krimit në Kosta Rikë nuk është shoqëruar ende me rezultate konkrete, duke paralajmëruar se Fernández do ta ketë të vështirë të ruajë popullaritetin nëse dhuna dhe kriminaliteti mbeten në nivele të larta, shkruan FT.