Vendosni fjalën kyçe....

Policia greke sekuestron rreth 75 kg kanabis, arrestohet një 54-vjeçar shqiptar



Rreth 75 kilogramë kanabis janë sekuestruar nga policia greke në Rajo të Igumenicës, pranë kufirit greko-shqiptar, gjatë një operacioni të zhvilluar pasditen e djeshme nga sektori anti-drogë i policisë së Igumenicës.

Gjatë kontrollit të një automjeti që vinte nga kufiri dhe synonte futjen e drogës në brendësi të Greqisë, policia gjeti tre çanta që përmbanin 51 pako me 74 kilogramë e 804 gramë marijuanë. Në operacion u sekuestruan gjithashtu automjeti dhe një telefon celular.

Në prangat e policisë ra drejtuesi i mjetit, një 54-vjeçar shqiptar.

Autoritetet greke bëjnë me dije se vetëm që nga shtatori janë sekuestruar rreth 775 kilogramë marijuanë që dyshohet se vinin nga Shqipëria. Rastet janë evidentuar kryesisht në Igumenicë, por edhe në Janinë, Selanik dhe Kostur, duke u ndërmarrë kontrolle si në rrugë tokësore ashtu edhe detare.