
Senati amerikan miratoi të premten një marrëveshje buxhetore të mbështetur nga Presidenti Donald Trump për të financuar pjesën më të madhe të qeverisë federale deri në fund të shtatorit, ndërsa për fondet e Sigurisë Kombëtare (Homeland Security) parashikohet një zgjatje e përkohshme, duke i dhënë Kongresit dy javë kohë për të debatuar mbi kufizime të reja ndaj bastisjeve federale të emigracionit në mbarë vendin.
Me rrezikun e një mbylljeje të qeverisë në fundjavë, Trump arriti marrëveshjen me demokratët e Senatit të enjten, në vazhdën e vrasjes së dy protestuesve nga agjentë federalë në Minneapolis.
Demokratët thanë se nuk do ta mbështesnin projektligjin e përgjithshëm të shpenzimeve nëse Kongresi nuk shqyrton legjislacion që kërkon heqjen e maskave të agjentëve, më shumë urdhra gjyqësorë për arrestime dhe mundësimin e rolit të autoriteteve lokale në hetimin e incidenteve, sipas AP.
“Kombi po i afrohet një pike thyerjeje. Populli amerikan po kërkon që Kongresi të veprojë dhe të imponojë ndryshim,” deklaroi pas votimit lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.
Ndërsa ligjvënës nga të dyja partitë kërkuan hetime për të shtënat fatale, Trump tha se nuk dëshironte mbyllje të qeverisë dhe negocioi marrëveshjen e rrallë me Schumerin, një nga kritikët e tij më të shpeshtë. Më pas, Trump u bëri thirrje ligjvënësve të të dyja partive të votojnë “PO” në mënyrë bipartizane.
Projektligji u miratua me rezultatin 71 pro dhe 29 kundër dhe tani i kalon Dhomës së Përfaqësuesve, e cila rikthehet në punë të hënën. Kjo nënkupton se qeveria mund të përballet përkohësisht me një mbyllje të pjesshme gjatë fundjavës derisa Dhoma ta miratojë paketën.
Kryetari i Dhomës, Mike Johnson, deklaroi se pret që votimi të zhvillohet të hënën në mbrëmje, por mbetet e paqartë sa mbështetje do të ketë marrëveshja.
Krahu i djathtë i republikanëve ka sinjalizuar kundërshtime ndaj kufizimeve të fondeve për Sigurinë Kombëtare, ndërsa Johnson mund të mbështetet te demokratët, të cilët nga ana tjetër kundërshtojnë financimin e ICE-së pa masa të menjëhershme kufizuese.
Dy javë debat për ICE-n
Schumer paralajmëroi se demokratët nuk do të mbështesin një tjetër zgjatje të fondeve për Sigurinë Kombëtare pas dy javësh “nëse nuk frenohet ICE dhe nuk ndalet dhuna.” Sipas tij, pa ndryshime reale, republikanët nuk duhet të presin votat e demokratëve.
Edhe lideri i demokratëve në Dhomë, Hakeem Jeffries, tha se çdo ndryshim në projektligjin për Sigurinë Kombëtare duhet të jetë “domethënës dhe transformues,” duke paralajmëruar se, në mungesë të ndryshimeve të thella, vendi mund të përballet sërish me mbyllje të qeverisë.
Lideri i shumicës republikane në Senat, John Thune, tha se palët do të ulen për negociata me mirëbesim, por pranoi se do të jetë “shumë, shumë e vështirë” të arrihet kompromis në një kohë kaq të shkurtër.
Kërkesat e demokratëve
Demokratët kërkojnë që Shtëpia e Bardhë të ndalë patrullimet lëvizëse në qytete, të koordinojë arrestimet me autoritetet lokale dhe të vendosë rregulla më të rrepta për urdhrat gjyqësorë. Ata gjithashtu kërkojnë një kod të detyrueshëm sjelljeje për agjentët, që të mbajnë kamera trupore, të mos mbajnë maska dhe të identifikohen qartë.
Alex Pretti, një infermier 37-vjeçar në kujdes intensiv, u vra më 24 janar nga një agjent i patrullës kufitare, dy javë pasi protestuesja Renee Good u vra nga një oficer i ICE-së. Fillimisht, zyrtarë të administratës thanë se Pretti kishte vepruar në mënyrë agresive, por pamjet video e kundërshtuan këtë version.
Kundërshtime nga republikanët
Disa republikanë reaguan ashpër ndaj lëshimeve të Trump ndaj demokratëve. Senatori Lindsey Graham paralajmëroi se partia e tij nuk duhet të “dorëzojë shumë,” duke thënë se agjentët e ICE dhe Patrullës Kufitare janë “shpifur dhe baltosur.”
Senatori Eric Schmitt nga Misuri deklaroi se republikanët nuk do të lejojnë që demokratët të dobësojnë zbatimin e ligjit dhe deportimet në këmbim të financimit të Sigurisë Kombëtare.
Megjithatë, disa republikanë, si senatori Rand Paul, pranuan se disa ndryshime në operacionet e ICE-së mund të jenë të nevojshme.
Në prapaskenë, Graham bllokoi për gati një ditë procedurat derisa të merrte premtimin për një votim të ardhshëm mbi një projektligj që synon kufizimin e qyteteve “strehë”, si dhe mbi një nismë tjetër që lidhet me të drejtën e padive për shkelje të privatësisë së të dhënave.
Projektligji i shpenzimeve, i miratuar më herët nga Dhoma, parashikon gjithashtu shfuqizimin e një ligji të ri që u jepte senatorëve të drejtën të padisnin qeverinë për qasje të paautorizuar në të dhënat e tyre personale.