
Departamenti i Drejtësisë po publikon më shumë se 3 milionë faqe, video, imazhe dhe skedarë të tjerë shtesë lidhur me hetimin e Jeffrey Epstein, tha një zyrtar i lartë të premten.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, tha në një konferencë për shtyp se raundi i fundit i publikimeve, që nis këtë të premte, pason një rishikim të gjerë nga punonjësit e Departamentit të Drejtësisë për të redaktuar (fshehur) informacionet e ndjeshme rreth viktimave të Epstein. Rekordet përfshijnë 3 milionë faqe, mbi 2,000 video dhe 180,000 imazhe, tha Blanche.
Ky publikim “shënon fundin e një procesi shumë gjithëpërfshirës të identifikimit dhe rishikimit të dokumenteve,” u shpreh Blanche. Ai shtoi më vonë: “Shpresoj që puna që burrat dhe gratë e këtij departamenti bënë gjatë dy muajve të fundit, të mund t’u sjellë qetësi (closure) viktimave të Epstein.”
Departamenti i Drejtësisë nisi publikimin e shumëpritur të dokumenteve muajin e kaluar, duke lëshuar mijëra faqe në një garë me kohën për të respektuar afatin e 19 dhjetorit, të përcaktuar në Akti dypartiak për Transparencën e Dosjeve Epstein, i miratuar nga Kongresi në nëntor dhe i nënshkruar nga Presidenti Trump.
Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë e shkeli afatin, duke publikuar vetëm një pjesë të vogël të dokumenteve dhe dështoi të shpjegonte redaktimet siç kërkohet me ligj. Qindra punonjës të departamentit kanë punuar për të rishikuar dhe fshehur informacionet që identifikojnë viktimat.
Viktimat e Epstein dhe të tjerë janë ankuar se Departamenti i Drejtësisë ka qenë tepër agresiv me redaktimet, duke mbajtur të fshehur materiale që duhet të ishin publike, ndërsa në raste të tjera ka zbuluar në mënyrë të parregullt identitetet e viktimave.
Publikimi i vazhdueshëm i dosjeve ka mbajtur gjithashtu në qendër të vëmendjes marrëdhënien e kaluar të Trump me Epstein. Trump ka deklaruar se i ka ndërprerë lidhjet përpara se Epstein të arrestohej për herë të parë në vitin 2006. Sipas raportimeve të The Wall Street Journal, Trump është ankuar për mënyrën se si Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, po i trajton këto dosje.
“Mund t’ju siguroj se kemi respektuar ligjin… Ne nuk mbrojtëm Presidentin Trump. Nuk mbrojtëm apo nuk lamë pa mbrojtur askënd,” tha Blanche.
“Ka një etje për informacion që nuk besoj se do të ngopet nga rishikimi i këtyre dokumenteve.”
Kongresmenët Ro Khanna (D., Kaliforni) dhe Thomas Massie (R., Kentaki), të cilët bashkë-autorizuan aktin e transparencës, i kërkuan një gjykatësi federal të caktonte një mbikëqyrës të posaçëm për të monitoruar publikimin. Më 21 janar, Gjykatësi i Qarkut, Paul Engelmayer, e rrëzoi këtë kërkesë.
Akuzat se Epstein kishte abuzuar seksualisht me vajza u bënë publike në vitin 2006, vit në të cilin ai u arrestua. Në vitin 2008, ai u deklarua fajtor për akuzat shtetërore për nxitje të prostitucionit dhe sigurimin e të miturve për prostitucion, sipas një marrëveshjeje me prokurorët në Florida. Epstein vdiq në burg në vitin 2019, pasi u arrestua për herë të dytë dhe u akuzua nga prokurorët federalë për konspiracion për trafikim seksual. Mjekësia ligjore e Nju Jorkut e cilësoi vdekjen e tij si vetëvrasje.
Bashkëpunëtorja e Epstein, Ghislaine Maxwell, u dënua në vitin 2021 për trafikim seksual dhe u dënua me 20 vjet burg. Maxwell ka dorëzuar një kërkesë (habeas petition) duke kërkuar lirimin e saj, me pretendimin se prova të reja minojnë dënimin e saj, shkiruan WSJ.
Dokumentet që po publikohen përfshijnë materiale të deklasifikuara lidhur me Epstein dhe Maxwell. Ato mund të përfshijnë të dhëna udhëtimi, email-e të brendshme qeveritare, intervista me dëshmitarë dhe rekorde të tjera që lidhen me vdekjen e Epstein dhe hetimet qeveritare ndaj tij dhe Maxwell.