Vendosni fjalën kyçe....

Procedohen dy shtetase braziliane për prostitucion në Durrës, nën hetim edhe dy klientë shqiptarë



Policia e Durrësit ka proceduar penalisht dy shtetase braziliane, të cilat kishin përshtatur një apartament për ushtrimin e prostitucionit. Në kuadër të të njëjtit procedim penal janë vënë nën hetim edhe dy shtetas shqiptarë, të dyshuar si klientë.

Sipas njoftimit zyrtar, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale, ka finalizuar fazën e 14-të të operacionit policor të koduar “Storm”, pas një hetimi dyjavor të ndjekur me metoda speciale.

Në përfundim të operacionit, u proceduan në gjendje të lirë shtetaset Th. C., 35 vjeçe, dhe A. F., 39 vjeçe, lindur në Brazil, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.

Gjithashtu, për veprën penale “Prostitucioni”, u proceduan në gjendje të lirë edhe dy shtetas shqiptarë, E. D. dhe S. A., banues në Durrës.

Gjatë kontrollit, në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi një shumë totale parash prej 1 080 euro, 116 700 lekë, 120 dollarë amerikanë, 80 paund britanikë, 150 franga dhe 3 430 dinarë. Po ashtu u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, 8 aparate celularë, karta telefoni dhe blloqe shënimesh.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy shtetaset braziliane kishin marrë me qira një apartament në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1 në Durrës, të cilin e kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.

Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.