
Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS), i tha presidentit iranian të martën se Mbretëria nuk do të lejojë që hapësira e saj ajrore ose territori të përdoren për ndonjë sulm ushtarak ndaj Iranit.
MBS u shpreh qartë: “Ne nuk do lejojmë asnjë veprim ushtarak kundër Iranit nga territori ynë.”
Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me veprime ushtarake ndaj Iranit pas shtypjes brutale të protestave anti-qeveritare në vend. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar vendosjen e një aeroplanmbajtëseje dhe forcave shtesë ushtarake në rajon për një sulm të mundshëm.
Gjatë një bisedë telefonike të së martës, e iniciuar nga Masoud Pezeshkian, presidenti iranian informoi mbi zhvillimet e fundit brenda vendit, si dhe mbi progresin në bisedimet mbi dosjen bërthamore të Iranit.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë qenë të përfshirë në bisedime të herëpashershme lidhur me programin bërthamor iranian, i cili, sipas SHBA-së, u godit gjatë verës së kaluar në tre objekte nëntokësore të vendosura në të gjithë Iranin, shkruan Al Arabiya.
Sipas një njoftimi zyrtar, Princi i Kurorës theksoi gjatë thirrjes pozicionin e Mbretërisë për respektimin e sovranitetit të Republikës Islamike të Iranit dhe theksoi se Arabia Saudite nuk do të lejojë përdorimin e hapësirës ajrore apo territorit të saj për ndonjë veprim ushtarak kundër Iranit, pavarësisht destinacionit.