
Një gjyqtar federal në Shtetet e Bashkuara ka kërcënuar drejtuesin e përkohshëm të Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave (ICE) me shpallje për mosbindje ndaj gjykatës dhe e ka urdhëruar të paraqitet personalisht në seancë, për të shpjeguar pse agjencia e tij nuk ka zbatuar dhjetëra urdhra gjyqësorë në javët e fundit.
Sipas Reuters, Kryegjyqtari i gjykatës federale të Minesotës, Patrick Schiltz, urdhëroi që drejtori në detyrë i ICE, Todd Lyons, të paraqitet të premten në gjykatë.
Në një dokument të depozituar vonë të hënën, Schiltz tha se Lyons duhet të shpjegojë pse nuk duhet të mbahet përgjegjës për mosbindje, pasi agjencia e tij ka humbur afatin për t’i siguruar një të ndaluari një seancë dëgjimore për lirimin me kusht (bond hearing).
“Kjo gjykatë ka qenë jashtëzakonisht e duruar me palët e paditura, edhe pse ato vendosën të dërgojnë mijëra agjentë në Minesota për të ndaluar emigrantë pa bërë asnjë plan për t’u marrë me qindra kërkesa habeas corpus dhe padi të tjera që ishte e sigurt se do të pasonin,” shkroi Schiltz. “Durimi i gjykatës ka marrë fund.”
Departamenti i Sigurisë Kombëtare, që përfshin edhe ICE-n, nuk ishte menjëherë i disponueshëm për koment të martën.
Schiltz tha se do ta anulojë seancën e së premtes nëse i ndaluari lirohet. Gjyqtari, i cili ushtron detyrën në Minneapolis, është emëruar në bankën gjyqësore nga presidenti republikan George W. Bush.
Urdhri i Schiltz vjen në një kohë kur protestuesit po ankohen për taktikat e ICE-së në zbatim të fushatës së ashpër të Presidentit Donald Trump kundër emigracionit.
Agjentë të ICE-së kanë qëlluar për vdekje dy shtetas amerikanë, Renee Good dhe Alex Pretti, në veprime të ndara zbatimi ligji në Minneapolis gjatë këtij muaji.