
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e organizuar nga opozita, duke e cilësuar atë si një reagim tipik të një qeverie të korruptuar që, sipas tij, ka humbur kontrollin.
Në një deklaratë publike, Bardhi e quajti Ramën një “kryeministër të skaduar”, duke e akuzuar për mbrojtje të korrupsionit dhe lidhje me krimin e organizuar. Ai tha se reagimi i kryeministrit ndaj protestuesve nuk përputhet me standardet europiane.
“Askund në Europë kryeministri nuk mbron korrupsionin. Edi Rama reagoi mbrëmë ndaj protestuesve si çdo regjim i korruptuar që ka humbur kontrollin: me dhunë shtetërore, gaz lotsjellës të skaduar dhe ujë me piper,” deklaroi Bardhi.
Sipas tij, në vendet europiane një kryeministër i përfshirë në skandale nuk i përgjigjet qytetarëve me dhunë, nuk kriminalizon opozitën dhe nuk tenton të kontrollojë drejtësinë. Bardhi akuzoi Ramën se sillet si “avokat i korrupsionit”, duke përmendur rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe duke iu referuar akuzave për paracaktim tenderash dhe lidhje me persona të botës së krimit, përfshirë edhe rastin e Ergys Agasit.
“Askund në Europë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë. Askund nuk sulmohet drejtësia për të mbrojtur korrupsionin e vet, të familjes dhe të bashkëpunëtorëve më të ngushtë. Ky është Edi Rama,” u shpreh Bardhi.
Në përfundim, kreu i grupit parlamentar të PD-së theksoi se, sipas tij, vetëm regjimet e korruptuara dhe të dobësuara reagojnë me dhunë ndaj protestave qytetare.