
Kryeministri Edi Rama deklaroi në podkastin e tij “Flasim” se java ka nisur me një ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’iu bashkuar një organizmi të ri ndërkombëtar të quajtur Bordi i Paqes.
Sipas Ramës, bëhet fjalë për një ftesë personale drejtuar Shqipërisë për të qenë vend anëtar themelues i këtij organizmi, i cili është krijuar me iniciativën e presidentit amerikan. Kryeministri e cilësoi ftesën si një zhvillim me rëndësi politike dhe simbolike për vendin, duke theksuar vlerësimin e treguar ndaj Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara.
Rama bëri të ditur se ftesa është mirëpritur dhe ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, me mbështetje të gjerë parlamentare. Sipas tij, ky vendim reflekton angazhimin e Shqipërisë për paqen dhe rolin aktiv në arenën ndërkombëtare.
Ai theksoi se, pavarësisht debateve dhe polemikave që shoqëruan çështjen, Kuvendi e miratoi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bord me konsensus, përfshirë edhe votat e opozitës. Rama shtoi se ratifikimi u bë përmes një projektmarrëveshjeje dhe projektligji, duke e formalizuar anëtarësimin e vendit në këtë nismë të re ndërkombëtare.
Sipas Kryeministrit, pjesëmarrja në Bordin e Paqes përputhet me orientimin e Shqipërisë drejt bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjes në iniciativa që synojnë forcimin e dialogut dhe paqes globale.