Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina, Rusia dhe SHBA përfundojnë raundin e dytë të bisedimeve të paqes në Abu Dhabi


Ukraina ka përfunduar raundin e dytë të bisedimeve trepalëshe për paqen me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara në Emiratet e Bashkuara Arabe, më 24 janar, njoftoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Çështja kryesore mbi të cilën u përqendruan diskutimet ishte përcaktimi i parametrave të mundshëm për përfundimin e luftës”, shkroi Zelensky në një postim në Telegram. Ai theksoi se vlerëson veçanërisht faktin që ekziston ndërgjegjësimi për nevojën e monitorimit dhe kontrollit amerikan mbi procesin e përfundimit të luftës dhe garantimin e sigurisë reale.

Në delegacionin ukrainas morën pjesë sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, si dhe kreu i ri i Zyrës së Presidentit, Kyrylo Budanov, i cili njëkohësisht drejton Drejtorinë Kryesore të Inteligjencës së Ukrainës.

Delegacioni amerikan përfshinte të dërguarin special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, këshilltar dhe dhëndër i presidentit Donald Trump.

Bisedimet do të vijojnë edhe javën e ardhshme, bëri të ditur një burim i Shtëpisë së Bardhë për Kyiv Independent.

Raundi i dytë i negociatave nisi më 23 janar dhe pasoi një ditë intensive diplomacie më 22 janar, kur Zelensky u takua me presidentin Trump në Davos, ndërsa të dërguarit amerikanë zhvilluan bisedime të ndara, deri natën vonë, me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

Diskutimet trepalëshe u përqendruan kryesisht në dy çështje kyçe: të ardhmen e rajonit të Donbasit, pjesërisht të pushtuar, dhe mundësinë e ndalimit të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike, propozime që ekipet ukrainase dhe amerikane synojnë t’ia paraqesin palës ruse.

“Çështja e Donbasit është kyçe. Ajo do të diskutohet dhe modalitetet, ashtu siç i shohin të tria palët, do të trajtohen në Abu Dhabi”, deklaroi Zelensky para nisjes së bisedimeve.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes më 23 janar, presidenti ukrainas tha se ekipi negociator po e informonte atë çdo orë mbi zhvillimet, por paralajmëroi se është ende “herët për të nxjerrë përfundime”. “Do të shohim se si do të zhvillohet biseda nesër dhe çfarë rezultatesh do të prodhojë”, u shpreh ai.

Zelensky shtoi se përfundimi i luftës kërkon jo vetëm vullnetin e Ukrainës, por edhe që një vullnet i ngjashëm “të shfaqet disi edhe në Rusi”.

Kushtet e Moskës

Bisedimet zhvillohen nën presion të qartë nga Kremlini. Gjatë takimeve në Moskë më 22 janar, Putin i tha delegacionit amerikan se pa zgjidhjen e çështjes territoriale “nuk ka kuptim të shpresohet” për një marrëveshje, sipas këshilltarit të Kremlinit, Yuri Ushakov.

Putin këmbënguli se çdo marrëveshje duhet të zgjidhë çështjen “sipas formulës së rënë dakord në Anchorage”, duke iu referuar takimit Putin–Trump të mbajtur në gusht 2025.

Përpara atij samiti, Kremlini kishte kërkuar që Kievi të tërhiqte forcat e tij nga pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk që nuk janë plotësisht të pushtuara nga Rusia.

Ushakov tha se Putin e përsëriti këtë qëndrim para negociatorëve amerikanë, duke e paraqitur atë si kusht të panegociueshëm për përparimin drejt një marrëveshjeje afatgjatë.

Kush merr pjesë në negociata

Delegacioni ukrainas përfshin zyrtarë të lartë si Rustem Umerov dhe Kyrylo Budanov. Nga pala ruse, bisedimet udhëhiqen nga përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, të kryesuar nga admirali Igor Kostyukov, drejtues i inteligjencës ushtarake ruse.

Në tryezë janë gjithashtu i dërguari i lartë i Kremlinit, Kirill Dmitriev, dhe i dërguari special amerikan Steve Witkoff. Zyrtarët rusë kanë bërë të ditur se fokusi i tyre kryesor do të jetë “çështjet ekonomike”, ndërsa një grup i veçantë pune për çështjet e sigurisë i bashkohet formatit trepalësh.

Diskutimet ekonomike përfshijnë përdorimin e aseteve ruse të ngrira në Shtetet e Bashkuara për financimin e rindërtimit pas luftës në Ukrainë dhe mbulimin e një tarife të propozuar prej 1 miliard dollarësh për anëtarësimin në Bordin e Paqes të propozuar nga Trump.

Këshilltari presidencial ukrainas, Dmytro Lytvyn, tha se bisedimet po zhvillohen në disa formate, me pjesëmarrësit që alternojnë mes seancave të përbashkëta, takimeve dypalëshe dhe grupeve më të vogla sipas çështjeve specifike.

Donbasi, pika më e nxehtë

Territori mbetet pika më e debatueshme e negociatave. Rusia ka kërkuar prej kohësh tërheqjen e forcave ukrainase nga Donbasi dhe, pas më shumë se një dekade luftimesh, po e lidh çdo armëpushim të ardhshëm me atë që Kievi e cilëson si kapitullim.

Rajoni i Luhanskut është pothuajse tërësisht nën kontrollin rus, ndërsa forcat ukrainase mbajnë ende pjesë të rajonit të Donetskut — rreth 6,600 kilometra katrorë, përfshirë qytetet kyçe Sloviansk dhe Kramatorsk.

Ukraina e ka përjashtuar kategorikisht tërheqjen. Zyrtarët kanë deklaruar se Kievi mund të shqyrtojë alternativa të tjera, si krijimi i një zone të çmilitarizuar, ndërsa pala amerikane ka propozuar gjithashtu një zonë të lirë ekonomike në disa pjesë të rajonit.

Zelensky ka theksuar se çdo vendim territorial duhet të merret nga vetë ukrainasit, përmes zgjedhjeve ose një referendumi.

Një sondazh i dhjetorit tregoi se rreth 75% e qytetarëve ukrainas do të refuzonin një marrëveshje paqeje që nuk përfshin garanci sigurie dhe parashikon tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi.

Pavarësisht kësaj, Moska nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia këmbëngul në tërheqjen e forcave të armatosura ukrainase nga Donbasi, duke e quajtur këtë një kusht të rëndësishëm për përfundimin e luftës.