
Partia Demokratike do të dalë sërish në protestë ditën e nesërme në Tiranë, në një tubim që pritet të nisë në orën 17:00 përpara Kryeministrisë.
Përfaqësues të PD-së kanë njoftuar zyrtarisht Policinë e Tiranës për zhvillimin e protestës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Për rrjedhojë, Policia e Tiranës ka marrë masa për garantimin e rendit publik, duke paralajmëruar edhe bllokime të qarkullimit në disa segmente rrugore.
Sipas njoftimit të policisë, që nga ora 23:45 e mbrëmjes së sotme do të ndalohet lëvizja dhe parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Ndërsa të shtunën, nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Policia paralajmëron se, në varësi të situatës, kufizimet mund të shtrihen edhe në akse të tjera.
Protesta e së shtunës vjen në vijim të foltoreve të përjavshme të PD-së, të cilat janë shoqëruar nga një pjesëmarrje gjithnjë e më të vogël. Nga java në javë, siç është reflektuar edhe në pamjet me dron, numri i pjesëmarrësve është zvogëluar në “një grusht.
Në bulevard kanë mbetur kryesisht besnikët e strukturave të partisë, pavarësisht retorikës së Berishës për përmbysje të qeverisë.
Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara dhe të distancohen nga çdo veprim që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.