
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke kritikuar kryeministrin Edi Rama për mungesën në votimin e marrëveshjes për Bordin e Paqes në Kuvend.
Sipas Bardhit, Rama nuk ka besim te marrëveshja dhe te “arkitekti i saj, presidenti Donald Trump”.
Ai shtoi se kryeministri iku nga salla pa asnjë arsye shtetërore, duke përdorur skenën politike për të fshehur mungesën e tij në Davos.
Bardhi theksoi: “Kush beson vërtet te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, Presidenti Trump, nuk braktis votimin. Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen!”
Sipas tij, Rama përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si një “skenë të urrejtjes politike kundër opozitës” dhe për të goditur SPAK-un, duke mbrojtur individë të përmendur si Erion Veliaj, Belinda Balluku dhe Ergys Agasi, por jo si një shtetar i përgjegjshëm.
Bardhi përfundoi: “Ne e votuam me besim marrëveshjen dhe partneritetin me Presidentin e SHBA-së. Ai u zhduk nga Parlamenti pa votuar. Vullneti i vërtetë politik matet me votë, jo me fjalime patetike!”