Vendosni fjalën kyçe....

Putin “lan duart” me Groenlandën dhe i hap rrugë Trump-it: Ishulli mund të blihet për 1 miliard dollarë


Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se çështja e pronësisë së Groenlandës nuk përbën shqetësim për Rusinë dhe se ajo duhet të zgjidhet mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës, duke sinjalizuar se Moska nuk do ta kundërshtonte përpjekjen e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll ishullin strategjik në Arktik.

Duke folur për herë të parë publikisht mbi këtë temë, Putin u shpreh se Rusia po e ndjek situatën, por nuk ka interes të ndërhyjë.

“Ajo që ndodh në Groenlandë nuk është aspak shqetësim për ne”, tha ai gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, sipas Reuters.

Komentet e tij vijnë në një moment kur përpjekjet e Trump për Groenlandën kanë thelluar përçarjen mes SHBA-së dhe Europës, ndërsa Moska e ka parë me interes këtë përplasje transatlantike, edhe pse zhvillimet në Arktik kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe për Rusinë, e cila ka një prani të fortë në rajon.

Putin kritikoi gjithashtu mënyrën se si Danimarka e ka trajtuar historikisht Groenlandën, duke e cilësuar si një territor të trajtuar në mënyrë koloniale.

“Danimarka e ka trajtuar gjithmonë Groenlandën si koloni dhe shpeshherë në mënyrë të ashpër, në mos mizore”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo është një çështje më vete dhe që sot nuk po merr vëmendje.

Presidenti rus kujtoi precedentin historik të shitjes së Alaskës nga Rusia tek SHBA-ja në vitin 1867 për 7.2 milionë dollarë, si dhe shitjen e Ishujve të Virgjër nga Danimarka tek Uashingtoni në vitin 1917.

Duke iu referuar këtyre rasteve, Putin spekuloi se Groenlanda, duke marrë parasysh madhësinë, burimet natyrore dhe çmimin e arit sot, mund të ketë një vlerë rreth 1 miliard dollarë.

“Duke bërë llogaritë dhe duke krahasuar me Alaskën, blerja e Groenlandës mund të kushtojë rreth 1 miliard dollarë. Mendoj se Uashingtoni mund ta përballojë këtë”, tha ai, duke shtuar se SHBA-ja dhe Danimarka “do ta zgjidhin këtë mes tyre”.

Deklaratat e Putinit vijnë pasi Trump, gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, hoqi dorë nga kërcënimet për përdorimin e forcës dhe nga tarifat si mjet presioni për Groenlandën, duke lënë të hapur rrugën për negociata.

Rusia, nga ana e saj, ka qenë e kujdesshme të mos kritikojë drejtpërdrejt Trump-in, ndërsa ministri i Jashtëm Sergei Lavrov deklaroi më herët se Groenlanda nuk është “pjesë natyrore” e Danimarkës.