Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa në Kuvend: SHBA mbështet shtetin shqiptar, por qeveria është ndëshkuar me kufizime vizash


 

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar mazhorancën se po përpiqet të barazojë shtetin shqiptar me qeverinë aktuale në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa sipas saj realiteti është krejtësisht i ndryshëm.

Gjatë debateve në seancën plenare të Kuvendit për projektligjin që lidhet me aderimin në “Bordin e Paqes”, Zhupa deklaroi se Shqipëria si shtet gëzon mbështetjen e plotë të SHBA-së, por qeveria shqiptare ndodhet në “listën e zezë” të kufizimit të vizave amerikane.

Ajo iu referua vendimit të fundit të Uashingtonit, ku Shqipëria u përfshi në listën e vendeve të pezullimit të vizave emigruese, duke theksuar se kjo është një vlerësim negativ për qeverinë dhe jo për shtetin shqiptar.

“Vlerësimin për qeverinë shqiptare e keni para një jave, kur ishim vendi i vetëm anëtar i NATO-s që mori kufizime vizash, falë keqqeverisjes që po i përzë shqiptarët nga vendi dhe po i detyron të shndërrohen në azilkërkues dhe emigrantë të paligjshëm”, u shpreh Zhupa.

Sipas saj, këto zhvillime dëshmojnë qartë dallimin mes qëndrimit amerikan ndaj Shqipërisë si shtet dhe ndaj qeverisë aktuale.

“Këto dy vendime janë të qarta: shteti shqiptar gëzon mbështetjen amerikane, ndërsa qeveria shqiptare është futur në listën e vendeve të botës së tretë që keqqeverisin, janë të korruptuara dhe me lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës”, tha deputetja demokrate.

Zhupa theksoi se orientimi proamerikan dhe perëndimor është pjesë e statutit të Partisë Demokratike dhe se mbështetja për marrëveshjen lidhet me interesin e shtetit shqiptar.

Ajo sqaroi se vota kundër e PD-së kishte të bënte me mënyrën e miratimit të saj, të cilën e cilësoi antikushtetuese dhe cenuese për seriozitetin e Shqipërisë në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Në fund, Zhupa nënvizoi se SHBA ka qenë historikisht në mbështetje të Shqipërisë, nga periudha e presidentit Wilson e deri te ndihma në fushat e sigurisë, ekonomisë, arsimit, kulturës dhe drejtësisë, ndërsa problemi, sipas saj, qëndron te qeverisja aktuale dhe jo te shteti shqiptar.