Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Marrëveshja për Planin e Paqes po përdoret për të shmangur përgjegjësinë në çështjen Balluku



Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka deklaruar se marrëveshja e veprimit për Planin e Paqes, e cila po votohet në Kuvend, po përdoret në mënyrë të gabuar për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë dhe zyrtarëve të lartë në lidhje me skandalin që përfshin zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Shehaj u shpreh se, ndonëse marrëveshja pritet të votohet nga shumica dërrmuese e deputetëve, ajo po shfrytëzohet politikisht për të ndikuar proceset e drejtësisë dhe për të larguar vëmendjen nga përgjegjësia penale e pushtetarëve.

Sipas tij, kjo situatë përbën një shantazh të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe cenon besimin e qytetarëve te shteti i së drejtës, veçanërisht në një moment kur Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim të rëndësishëm mbi masat ndaj zyrtarëve të lartë të dyshuar për korrupsion.

Shehaj theksoi se askush, pavarësisht funksionit që mban, nuk duhet të përdorë marrëveshje ndërkombëtare apo zhvillime politike për t’i shpëtuar drejtësisë, duke nënvizuar se pezullimi nga detyra i një zyrtari të kapur në shkelje është një parim themelor i shtetit ligjor.