Vendosni fjalën kyçe....

Çelet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Madrid, Gonxhja: Do zvillojmë turizmin gjithëvjetor në Shqipëri


Është çelur sot në Madrid Panairi Ndërkombëtar i Turizmit FITUR, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale të sektorit, ku Shqipëria merr pjesë me pavijonin e saj nën sloganin “Albania All Senses”.

I pranishëm në panair është ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili gjatë hapjes së pavijonit shqiptar shpjegoi konceptin e ri të promovimit të turizmit shqiptar, qw synon një bashkëpunim më të fortë të institucioneve dhe operatorët, si dhe zgjerimin e ofertës turistike gjatë gjithë vitit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Gonxhja theksoi se turizmi nuk mund të reduktohet vetëm te sezoni veror dhe pushimet në bregdet, duke vënë theksin te zhvillimi i formave të tjera të turizmit:

 “Turizmi gjithmonë e më shumë nuk është vetëm plazhi, deti, çadra apo rëra, por kemi shumë nevojë për të pasur një turizëm eventesh, një turizëm destinacionesh, një turizëm spektaklesh dhe aktivitetesh, që tashmë i përmbledh Ministria jonë e re. Ne do të punojmë fort për turizmin dimëror, për turizmin e konferencave, për turizmin e retrateve të organizatave sepse duhet të rrisim kapacitetet e hoteleve tona gjatë sezoneve për pjesën më të vështirë, që është ajo e pjesës së dimrit për ne dhe që ne duhet që t’i bëjmë investimet më të qëndrueshme dhe duhet t’i bëjmë më organike me të gjithë muajt e vitit dhe të kemi mundësinë që të përqëndrojmë mbështetjen tonë për promovimin e Shqipërisë dhe jo për të mbështetur thjesht mbijetesën e disa prej subjekteve apo për disa prej sektorëve që lidhen me turizmin. Kështu që unë ju ftoj të gjithëve që të jeni me sytë nga Madridi këto ditë. ”

Ministri u ndal edhe te roli i institucioneve dhe agjencive në promovimin e Shqipërisë, si dhe te rëndësia e promovimit digjital dhe virtual për të arritur tregje të reja.

“Do të punojmë fort për promovim dixhital, promovim virtual dhe një promovim sa më të gjerë për një turizëm gjithëvjetor, me më shumë territor dhe më shumë gjeografi.”

Gonxhja theksoi se FITUR është një mundësi konkrete për takime biznesi dhe për lidhjen e kontratave që ndihmojnë në planifikimin e sezonit turistik, duke e konsideruar planifikimin si kyç për investime të qëndrueshme. Sipas tij, rritja e turizmit të planifikuar dhe zgjerimi i ofertës gjatë muajve të dimrit mbeten sfida kryesore për sektorin.

“Sot që flasim kemi rreth dhjetë për qind të turizmit të planifikuar në kuptimin e rezervimeve, gjë që është një shifër që duhet patjetër të rritet, sepse më shumë planifikim do të thotë më shumë investime të qëndrueshme, më shumë programim dhe më shumë optimizim i kapaciteteve, i strukturave tona dhe i gjithë sistemit që lidhet me turizmin dhe me mikpritjen, ” tha ai.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri ftoi vizitorët ndërkombëtarë të njihen nga afër me Shqipërinë:

“Ejani në Shqipëri, njiheni Shqipërinë, duajeni Shqipërinë për atë që ajo është autentike, është një eksperiencë e vërtetë, është një vend me shumë ofertë turistike dhe është një vend që jetohet bukur dhe është një vend që punohet bukur, është një vend që mund të jesh për turizëm, mund të jesh edhe për aktivitete të ndryshme. ”

Pamje nga panairi u ndanë edhe nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ku tha se Shqipëria po prezantohet përmes përvojave autentike dhe po pozicionohet si një destinacion gjithëvjetor dhe gjithëpërfshirës.

“Çelet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Madrid, ku Shqipëria prezantohet me stendën e saj përmes përvojave autentike, duke u pozicionuar si një destinacion gjithëvjetor dhe gjithëpërfshirës” tha Rama

FITUR në Madrid është një nga panairet më të mëdha ndërkombëtare të turizmit dhe njihet për numrin e lartë të kontratave dhe marrëveshjeve që lidhen gjatë ditëve të para. Shqipëria synon që përmes këtij panairi të forcojë pozicionimin e saj në tregjet evropiane dhe të rrisë turizmin gjithëvjetor.