
Kryeministri Edi Rama ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një iniciativë e shpallur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi ftesën si një gjest domethënës që, sipas tij, forcon më tej marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar. Ai theksoi se ky hap përbën gjithashtu një sinjal për sigurinë dhe përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit amerikan.
“Është një gjest tejet domethënës ndaj Kosovës, që forcon marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar dhe jep një sinjal të rëndësishëm për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan,” shkroi Rama.
Kryeministri shtoi se shpreson që faktorët politikë në Kosovë ta vlerësojnë këtë ftesë si një dorë të shtrirë nga SHBA-ja, duke e lidhur atë edhe me respektin për rolin institucional dhe ndërkombëtar të presidentes Osmani.