
Kryeministri Edi Rama, përfaqësues të PS, familjarët e viktimave të 21 janarit dhe qindra qytetarë u bënë pjesë e homazheve për 21 janarin në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Lule u vendosën mbi pllakatat e vendosura në nder të 4 protestuesve të vrarë Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Shefi i qeverisë u pa gjatë homazheve në krah të Mark Nikës, xhaxhai i një prej protestuesve të vrarë, si edhe me djalin e Faik Myrtajt apo vëllezërit e Hekuran Dedës.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se ngjarjet e 21 Janarit përfaqësojnë një panoramë të trishtë të një drejtësie të dhunuar dhe të vonuar.
“Një panoramë e trishtë e një drejtësie të dhunuar, ku 21 Janari është ana tjetër e medaljes, ajo e drejtësisë së vonuar.
Me përgjegjësit kryesorë të tragjedisë që mezi u thirrën për t’u pyetur për herë të parë në muajt e fundit pas thuajse 15 vjetësh se 15 vjet bëhen sot.
Unë e kam ditur dhe e kam thënë në shumë kronika e intervista se 21 Janari si një krim shtetëror hyn te ajo kategori krimesh që drejtësia na mëson se vonon shumë, por nuk harron kurrë.”