Vendosni fjalën kyçe....

Rama: 15 vite pa drejtësi për 21 Janarin janë poshtërim për familjarët e viktimave



Kryeministri Edi Rama deklaroi se mungesa e drejtësisë për ngjarjet e 21 janarit 2011, edhe pas 15 vitesh, përbën një boshllëk të madh dhe një “jetë poshtërimi” për familjarët e katër protestuesve të vrarë.

Duke folur për viktimat Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, Rama theksoi se koha ka kaluar pa u zbardhur plotësisht ngjarja, ndërsa familjarët vazhdojnë të presin drejtësi. “Ata që ishin fëmijë u erdhi koha të bëhen prindër, ndërsa ata të katërt nuk u ka ardhur ende koha të prehen të qetë,” u shpreh kryeministri.

Ai vlerësoi se Gjykata e Strasburgut ka kërkuar drejtësi për katër vrasjet e 21 janarit dhe pranoi se, pavarësisht reformës në drejtësi dhe ngritjes së institucioneve të reja, pritshmëritë nuk janë përmbushur. Rama tha se gjatë gjashtë viteve të fundit janë ndërtuar struktura dhe janë paguar paga të larta, por pa rezultate konkrete për këtë çështje, duke shtuar se mbi institucionet rëndojnë edhe gabimet e bëra në procesin e reformës.

“Sa herë që vjen kjo ditë, mbi kurrizin tonë rëndojnë gurët e mllefit dhe të mërzisë së një vendi që me të drejtë ndihet i tradhtuar dhe i përdorur nga drejtësia e re,” deklaroi ai.

Kryeministri u shpreh se i kupton ndjenjat e familjarëve dhe hodhi poshtë akuzat se ai mbron pandëshkueshmërinë për ngjarjet e 21 janarit. “Ndihem i zbrazur dhe i dobët në shpirt kur shoh se 21 janari vjen sërish me hijen e padrejtësisë mbi vete,” përfundoi Rama.