
Sot në orën 11:00 pritet të mblidhet Byroja e Kuvendit për të shqyrtuar ankimin e deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me përjashtimin e tyre nga seancat plenare.
Anëtari i grupit parlamentar të PD-së, Belind Këlliçi, i ka dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ku kërkon që mbledhja të zhvillohet e hapur për mediat, duke argumentuar rëndësinë e transparencës dhe interesin e opinionit publik për çështjet që do të diskutohen.
Në shkrim thuhet: “Në cilësinë e anëtarit të Byrosë së Kuvendit, në kuadër të transparencës dhe interesit të opinionit publik, si dhe ndjeshmërisë së çështjeve për diskutim, kërkoj që mbledhja e sotme e Byrosë së Kuvendit të zhvillohet me praninë e mediave dhe gazetarëve. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.”
Mbledhja e sotme pritet të vendosë për hapjen ose jo të seancave plenare për deputetët e PD-së, në vijim të përplasjeve politike të muajve të fundit.