Vendosni fjalën kyçe....

Macron refuzon ftesën e Trump për t’iu bashkuar “Bordit të Paqes” për Gazën


Presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar ftesën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’iu bashkuar të ashtuquajturit “Bord i Paqes”, i ngarkuar me mbikëqyrjen e hapave të ardhshëm në Gazë, njoftoi të hënën Pallati Elize.

Sipas presidencës franceze, vendimi u mor për shkak të shqetësimeve se bordi, i kryesuar nga Trump, do të ushtronte kompetenca shumë më të gjera sesa një qeverisje tranzitore e Rripit të Gazës dhe do të cenonte kornizën institucionale të Kombeve të Bashkuara.

Në deklaratë thuhet se statuti i bordit “shkon përtej kornizës së Gazës dhe ngre pyetje serioze, veçanërisht në lidhje me parimet dhe strukturën e Kombeve të Bashkuara, të cilat nuk mund të vihen në pikëpyetje”.

Trump shpalli krijimin e bordit të premten, duke e përshkruar atë si “Bordin më të madh dhe më prestigjioz të mbledhur ndonjëherë”, si pjesë qendrore e planit të tij prej 20 pikash për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, theksoi të hënën se problematike mbeten si shtrirja e mandatit të bordit “në Gazë dhe më gjerë”, ashtu edhe “fuqitë jashtëzakonisht të gjera” që statuti i jep kryetarit të tij. Sipas Barrot, Trump do të kishte të drejtë të miratonte anëtarësimet, të caktonte pasardhësin e tij dhe të ushtronte veto ndaj vendimeve të miratuara nga shumica e anëtarëve.

“Kjo është shumë, shumë larg Kartës së Kombeve të Bashkuara,” deklaroi ai gjatë një fjalimi në Paris.

Nisma e Trump ka nxitur gjithashtu polemika për shkak të një tarife prej 1 miliard dollarësh, që vendet anëtare do të duhet të paguajnë nëse synojnë të ruajnë statusin e përhershëm përtej mandatit fillestar trevjeçar.

Kanadaja ka bërë të ditur se do t’i bashkohet bordit, por pa paguar për një vend të përhershëm, sipas kryeministrit Mark Carney.

Trump u ka dërguar ftesa edhe Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, si dhe Shqipërisë, Argjentinës, Egjiptit, Hungarisë, Indisë, Turqisë dhe Vietnamit. Kremlini konfirmoi të hënën se ftesë ka marrë edhe presidenti rus Vladimir Putin, pavarësisht luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.

Në Poloni, një ndihmës i presidentit Karol Nawrocki tha se edhe ai është ftuar dhe po shqyrton përgjigjen, duke vënë në dukje përfshirjen e Putinit, i cili konsiderohet në kundërshtim me qëndrimet e presidentit polak. Kryeministri Donald Tusk reagoi më pas në rrjetin X, duke theksuar se një vendim i tillë do të kërkonte miratim parlamentar dhe duke shtuar: “Ne nuk do të lejojmë askënd të luajë me ne.”

Edhe Arabia Saudite ka marrë një ftesë për t’iu bashkuar bordit dhe po e shqyrton atë, konfirmoi një zyrtar saudit.

Komiteti ekzekutiv i Bordit të Paqes pritet të përfshijë figura të njohura ndërkombëtare, mes tyre ish-kryeministrin britanik Tony Blair, Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, dhëndrin e Trump Jared Kushner dhe Ajay Banga, presidentin e Bankës Botërore, shkruan Politico.