Lumi Sena në Paris është hapur sërish për not publik për herë të parë pas më shumë se një shekulli, që nga viti 1923. Kjo hapje sezonale shihet si një nga trashëgimitë kryesore të Lojërave Olimpike Paris 2024, ku notarët do të garojnë në ujërat e lumit, të cilët janë pastruar posaçërisht për këtë ngjarje.
Të shtunën në mëngjes, në orën 08:00 sipas kohës lokale, disa dhjetëra persona u zhytën në ujërat e Senës në tre zona të përcaktuara për not publik: pranë Kullës Eiffel, Katedrales Notre Dame dhe në lindje të Parisit. Secila zonë ka dhoma zhveshjeje, dushe dhe mobilje në stil plazhi, që mundësojnë deri në 300 persona të shtrijnë peshqirët e tyre.
Këto vende do të jenë të hapura falas deri në fund të gushtit, në orare të caktuara, dhe për personat mbi 10 ose 14 vjeç, varësisht nga zona. Rojet bregdetare do të sigurojnë sigurinë e notarëve gjatë notit në lumin Sena.
Ndalimi i notit në Sena daton që nga viti 1923, ndërsa përpjekjet për heqjen e tij nisën që në vitin 1988, kur Jacques Chirac, atëherë kryetar i bashkisë së Parisit dhe president i ardhshëm i Francës, mbështeti këtë iniciativë. Përmirësimet e mëtejshme gjatë dy dekadave të fundit kanë ulur ndjeshëm ndotjen bakteriale në lumin Sena, duke e bërë të mundur rikthimin e notit në këtë rrjedhë uji./BBC