
Gjermania do ta zbatojë skemën e re mbështetëse prej 3 miliardë eurosh për automjetet elektrike pa kufizime gjeografike, duke e hapur atë për të gjithë prodhuesit, përfshirë kompanitë kineze të makinave. Vendimi vjen në përpjekje për t’i dhënë një shtysë të re tregut të automjeteve elektrike, pas rënies së ndjeshme të shitjeve vitet e fundit.
Programi, i cili do të ketë efekt prapaveprues nga fillimi i këtij viti dhe do të zgjasë deri në vitin 2029, synon të forcojë industrinë gjermane dhe evropiane, por pa vendosur barriera mbi origjinën e prodhuesve, tha ministri i Mjedisit, Carsten Schneider.
“Unë nuk shoh ndonjë dyndje masive të prodhuesve kinezë, as në shifra dhe as në rrugë. Për këtë arsye ne po përballemi me konkurrencën dhe nuk po vendosim kufizime,” deklaroi ai.
Fondet e vëna në dispozicion pritet të mbështesin blerjen ose lizingun e rreth 800 mijë automjeteve të reja. Subvencionet do të orientohen kryesisht drejt familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, me mbështetje financiare që varion nga 1,500 deri në 6,000 euro, në varësi të madhësisë së familjes dhe nivelit të të ardhurave të tatueshme.
Skema do të përfshijë gjithashtu automjetet hibride “plug-in” që qëndrojnë nën një prag të caktuar emisionesh, si edhe modelet “range-extender”, ku bateria mund të karikohet përmes një gjeneratori me lëndë djegëse.
Kërkesa për një program të ri subvencionimi ka qenë e fortë nga ana e industrisë, që prej ndërprerjes së papritur të skemës së mëparshme në fund të vitit 2023. Ky vendim çoi në një rënie prej 27 për qind të shitjeve të automjeteve elektrike me bateri në vitin 2024, megjithëse tregu ka shfaqur shenja rimëkëmbjeje më pas. Në vitin 2025 u regjistruan rreth 545 mijë automjete të reja me bateri, më shumë se në vitin 2023.
Qasja e Berlinit bie në kontrast me politikat e disa vendeve të tjera evropiane. Në Mbretërinë e Bashkuar, një program i ngjashëm subvencionimi përfshinte kritere që në praktikë përjashtonin prodhuesit kinezë, shkruan Financial Times.
Megjithatë, prodhuesit kinezë kanë nisur të fitojnë terren në tregun gjerman, pavarësisht tarifave kundër subvencioneve të vendosura nga BE-ja. Pjesa e tyre e tregut mbetet ende e kufizuar krahasuar me prodhuesit vendas. BYD, për shembull, shiti rreth 23 mijë makina në Gjermani në vitin 2025, tetë herë më shumë se një vit më parë, por sërish më pak se 1 për qind e tregut total.
Shoqata e prodhuesve gjermanë të automjeteve, VDA, e përshëndeti njoftimin e skemës së re, por paralajmëroi se efekti i saj mund të jetë i përkohshëm nëse nuk shoqërohet me investime në infrastrukturë. “Një rrjet i dendur karikimi dhe energjia e përballueshme mbeten vendimtare për rritjen e qëndrueshme të elektromobilitetit,” deklaroi presidentja e VDA-së, Hildegard Müller.