Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministrja japoneze shpall zgjedhje të parakohshme më 8 shkurt


Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi do t’i drejtohet votuesve më 8 shkurt, duke thirrur zgjedhje të parakohshme për të kërkuar mbështetje për paketën e saj të gjerë ekonomike dhe për një strategji të re sigurie që pritet të përshpejtojë rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Takaichi pritet të shpërndajë parlamentin të premten, duke hapur rrugën për votimin e të gjitha 465 vendeve të Dhomës së Ulët – testi i saj i parë elektoral që prej tetorit, kur u bë gruaja e parë në historinë e Japonisë që drejtoi qeverinë.

“Po e vë në rrezik të ardhmen time politike si kryeministre,” tha ajo të hënën në një konferencë për shtyp. “Dua që publiku të vendosë drejtpërdrejt nëse do të më besojë menaxhimin e vendit.”

Takaichi premtoi pezullimin për dy vjet të taksës së konsumit prej 8% për ushqimet, duke argumentuar se skema e saj e shpenzimeve do të krijojë vende pune, do të rrisë konsumin dhe do të sjellë të ardhura shtesë nga taksat, sipas Reuters.

Qeveria parashikon se ulja e taksës do të reduktojë të ardhurat buxhetore me rreth 5 trilionë jen (32 miliardë dollarë) në vit. Perspektiva e kësaj mase çoi yield-et e obligacioneve 10-vjeçare japoneze në nivelin më të lartë në 27 vjet.

Thirrja e zgjedhjeve të hershme i jep Takaichit shansin të shfrytëzojë mbështetjen e fortë publike dhe të konsolidojë kontrollin ndaj Partisë Liberaldemokrate, ndërsa koalicioni qeverisës përballet me një shumicë të brishtë.

Një sondazh i NHK-së javën e kaluar tregoi se 45% e votuesve shqetësohen më së shumti për çmimet, ndërsa diplomacia dhe siguria kombëtare u renditën të dytat me 16%.

Qeveria e Takaichit planifikon një strategji të re kombëtare sigurie këtë vit, pasi vendosi të përshpejtojë rritjen e ushtrisë duke rritur shpenzimet e mbrojtjes në 2% të PBB-së, një devijim i rëndësishëm nga dekadat e kufirit tradicional rreth 1%.

Ajo nuk ka vendosur një objektiv të ri financiar, por rritja e tensioneve me Kinën mbi Tajvanin dhe ishujt e kontestuar në Detin e Kinës Lindore, si dhe presioni amerikan që aleatët të investojnë më shumë në mbrojtje, pritet ta shtyjnë Japoninë drejt shpenzimeve më të larta.

“Mjedisi ndërkombëtar i sigurisë po bëhet gjithnjë e më i vështirë,” tha Takaichi, duke përmendur stërvitjet ushtarake të Kinës dhe përdorimin e presionit ekonomik përmes kontrollit të zinxhirit të furnizimit.

Javën e kaluar Pekini ndaloi eksportet drejt Japonisë të disa materialeve me përdorim të dyfishtë civil-ushtarak, duke përfshirë mineralet kritike.

LDP dhe aleatët e saj nga Ishin hyjnë në zgjedhjet e 8 shkurtit me 233 vende në total. Synimi i Takaichit është ruajtja e shumicës.

Rivali kryesor do të jetë Aleanca Reformiste Qendrore, një forcë e re politike që bashkon Partinë Demokratike Kushtetuese të Japonisë dhe Komeito-n, e cila i dha fund koalicionit 26-vjeçar me LDP-në pas marrjes së drejtimit nga Takaichi.

Dy partitë së bashku mbajnë 172 vende. Zyrtarë të aleancës së re kanë sinjalizuar se mund të propozojnë heqjen e përhershme të taksës 8% për ushqimet.

Jeffrey Hall, pedagog në Universitetin Kanda, tha se popullariteti i jashtëzakonshëm i Takaichit e bën momentin ideal për zgjedhje të parakohshme, por paralajmëroi se afrimi i opozitës e bën fitoren më pak të sigurt.