Vendosni fjalën kyçe....

Mandati i gjerë i “Bordit të Paqes” të Trump e pozicionon atë si rival të OKB-së


Bordi i Paqes i krijuar nga Donald Trump për të mbikëqyrur Gazën ka një mandat shumë më të gjerë sesa fillimisht ishte shprehur, duke e pozicionuar atë si një rival të mundshëm të OKB-së dhe duke e lejuar të ndërmjetësojë edhe në konflikte të tjera globale, sipas statutit të shpërndarë për anëtarët e mundshëm.

Ky trup u konceptua fillimisht si pjesë e përpjekjes së Trump për të krijuar një kornizë të re qeverisjeje për enklavën palestineze pas ofensivës dyvjeçare të Izraelit kundër Hamasit, por teksti i statutit flet për një “trup ndërkombëtar ndërtimi paqeje më të shkathët dhe efektiv” pa përmendur vetëm Gazën, duke treguar një fushëveprim të mundshëm shumë më të gjerë.

Sipas statutit, Bordi i Paqes ka për qëllim të promovojë stabilitetin, të rivendosë qeverisjen e besueshme dhe legjitime dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura nga konfliktet.

Trump do të kryesojë bordin dhe do të ketë autoritet të gjerë për të emëruar dhe larguar shtetet anëtare, të marrë pjesë në vendime, dhe të krijojë ose modifikojë entitete vartëse si komiteti ekzekutiv për Gazën ose borde të tjera të ngjashme për konflikte të tjera. Vendimet e Bordit mund të anulohet vetëm nga një shumicë prej dy të tretave të anëtarëve, duke i dhënë Trump-it një efektivitet praktik të tipit veto.

Bordi pritet të ketë një strukturë me dy nivele: një bord të nivelit të lartë, i përbërë ekskluzivisht nga krerë shtetesh nën udhëheqjen e Trump-it, dhe një bord ekzekutiv themelues që mund të operojë mbi konflikte specifike si Gaza, me mundësinë për zgjerim të mandatit për të përfshirë edhe rajone të tjera si Ukraina apo Venezuela. Statuti i tij është interpretuar nga diplomatët si një përpjekje për të anashkaluar OKB-në, duke i dhënë Trump-it një rol të drejtpërdrejtë dhe ndikim të konsiderueshëm në proceset ndërkombëtare të paqes.

Bordi u autorizua formalisht për të mbikëqyrur tranzicionin pasluftës në Gaza përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në nëntor, por mandatet e tij përtej Lindjes së Mesme mbeten të paqarta. Trump, i njohur për qëndrimet armiqësore ndaj OKB-së, tërhoqi së fundmi SHBA-në nga 31 entitete të organizatës, duke argumentuar se vepronin kundër interesave kombëtare dhe sovranitetit të SHBA-së, shkruan Financial Times.