
Katër persona kanë mbetur të lënduar dhe rreth 100 banorë janë evakuar pas një shpërthimi dhe zjarri që ndodhën pas një rrjedhjeje gazi në qendër të qytetit historik të Utrecht-it të enjten pasdite. Autoritetet konfirmuan se shkak i shpërthimit ishte rrjedhja e gazit dhe nuk ka shenja të ndonjë veprimi kriminal, përcjell Euronews.
Shpërthimi ka dëmtuar disa ndërtesa historike, ndërsa vazhdojnë kontrollet strukturore. Banorët janë strehuar përkohësisht në një hotel, dhe kryetarja e bashkisë, Sharon Dijksma, paralajmëroi se rikthimi në shtëpi mund të vonojë për shkak të mbeturinave dhe xhamave të thyer.
Shërbimet e emergjencës thanë se flakët përhapën shpejt, por zjarrfikësit arritën t’i kontrollojnë ato. Nga të lënduarit, dy u trajtuan në vendngjarje, një tjetër u dërgua në spital me dëmtime të lehta, dhe një kalimtar tjetër u ndje keq. Nuk ka të dhëna për viktima.
Autoritetet po vijojnë vlerësimin e dëmeve në ndërtesa dhe po sigurojnë zonën para se banorët të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.