Vendosni fjalën kyçe....

Kanadaja dhe Kina drejt një partneriteti të ri strategjik, Carney flet për përfitime “historike”



Kanadaja dhe Kina po hedhin hapa drejt një partneriteti të ri strategjik, i cili pritet të sjellë përfitime “historike” për të dyja vendet. Kështu u shpreh kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, gjatë një takimi me presidentin kinez Xi Jinping, të premten në Pekin, përcjell DW.

Gjatë vizitës zyrtare në Kinë, Carney theksoi se ky partneritet i ri vjen në një moment tensionesh dhe ndarjesh globale, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai u bëri thirrje dy vendeve të fokusohen në sektorë me potencial të madh bashkëpunimi, si bujqësia, agroushqimi, energjia dhe financat, fusha që sipas tij mund të sjellin përparim të menjëhershëm dhe afatgjatë.

Nga ana e tij, presidenti Xi Jinping e mirëpriti kryeministrin kanadez dhe delegacionin e tij, duke deklaruar se marrëdhëniet mes Kinës dhe Kanadasë po përmirësohen pas takimit të fundit mes tyre në një samit në tetor. Xi tha se ai takim kishte hapur një kapitull të ri drejt normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm i këtyre marrëdhënieve i shërben interesave të përbashkëta të të dyja vendeve.

Vizita e Carney-t shënon herën e parë që një kryeministër kanadez viziton Pekinin që nga viti 2017. Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin përkeqësuar ndjeshëm pas arrestimit në Kanada, në vitin 2018, të drejtoreshës financiare të Huawei, Meng Wanzhou, çka solli masa hakmarrëse, tarifa tregtare, si dhe tensione për çështje të të drejtave të njeriut dhe ndërhyrjeve të dyshuara zgjedhore.

Udhëtimi i kryeministrit kanadez vjen pas muajsh përpjekjesh diplomatike për të zbutur këto tensione dhe në një kohë kur Otava po synon të diversifikojë marrëdhëniet tregtare përballë tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, edhe Kina, e prekur nga tarifat amerikane, po përpiqet të forcojë lidhjet me vendet e G7-ës dhe të zgjerojë eksportet në tregje të tjera, duke u mbështetur te tregtia për të nxitur ekonominë, e cila po përballet me vështirësi për shkak të krizës së zgjatur të pasurive të paluajtshme dhe kërkesës së dobët të brendshme.