
Fermerët në Greqi kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave, duke njoftuar se këtë të martë do të bllokojnë sërish rrugët kryesore në vend. Sipas njoftimit të tyre, do të bllokohen zyrat doganore në kufirin e Greqisë me Bullgarinë, si dhe në kufirin me Maqedoninë e Veriut.
Fermerët bëjnë të ditur se bllokimi do të zgjasë për të paktën 24 orë. Gjithashtu, në orën 12:00, sipas orës greke, është paralajmëruar një tjetër bllokim në kryqëzimin Bara Siatista, në autostradën Egnatia.
Në shenjë pakënaqësie, fermerët kanë refuzuar takimin e planifikuar për sot me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, në rezidencën Maximos.
Protestës i janë bashkuar edhe bletarë, si dhe anëtarë të Shoqatës së Bujqësisë dhe Blegtorisë së Eordeisë Lindore dhe Pellgut Jugor të Vegoritidës, si edhe të Shoqatës Bujqësore të Bashkisë së Amyntaion.