Vendosni fjalën kyçe....

NATO dhe qeveria lokale kërkojnë forcimin e mbrojtjes mes deklaratave të Trump për Groenlandën



Presidenti amerikan Donald Trump ka këmbëngulur se Groenlanda duhet të vihet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, duke argumentuar se territori autonom danez është thelbësor për sigurinë kombëtare të SHBA-së, përcjell Euronews.

Në këtë kontekst, NATO dhe qeveria e Groenlandës deklaruan të hënën se synojnë të punojnë për forcimin e mbrojtjes së ishullit, me shpresën për të dekurajuar çdo përpjekje të mundshme për aneksim nga ana e Uashingtonit.

Tensionet u shtuan edhe më tej të dielën, kur Trump deklaroi se SHBA do ta merrte Groenlandën “në një mënyrë apo në një tjetër”, duke ironizuar mbrojtjen e ishullit, për të cilën tha se përbëhej vetëm nga “dy slita qensh”.

Përballë perspektivës së aneksimit me forcë, kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se shpresat e tij janë te NATO.
“Siguria dhe mbrojtja jonë i përkasin NATO-s. Kjo është një vijë themelore dhe e palëkundur”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Nielsen shtoi se qeveria e tij do të punojë që zhvillimi i mbrojtjes në dhe rreth Groenlandës të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, në dialog me aleatët, përfshirë SHBA-në, si dhe në koordinim me Danimarkën.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të hënën se aleanca po punon për “hapat e ardhshëm” për forcimin e sigurisë në Arktik. Sipas diplomatëve të NATO-s, disa vende anëtare po hedhin ide për nisjen e një misioni të ri në rajon, megjithëse diskutimet janë ende në fazë fillestare dhe pa propozime konkrete.

Ndërkohë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka paralajmëruar se çdo sulm i armatosur amerikan ndaj Groenlandës do të nënkuptonte fundin e NATO-s. Në përpjekje për të qetësuar Uashingtonin, Kopenhaga ka rritur ndjeshëm investimet në sigurinë e rajonit, duke alokuar rreth 90 miliardë korona daneze (11 miliardë euro) për vitin 2025.

Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, është territor i gjerë, i pasur me burime minerare kryesisht të pashfrytëzuara dhe me një pozicion strategjik. Që nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, ishulli ka strehuar disa baza ushtarake amerikane, por sot vetëm një e tillë mbetet aktive. Sipas Rutte, Danimarka nuk do të kishte problem me një prani më të madhe ushtarake amerikane në ishull, pasi një marrëveshje e vitit 1951, e përditësuar në 2004, i lejon SHBA-së të dërgojë trupa duke njoftuar thjesht Danimarkën.

Në frontin diplomatik, Danimarka po përgatitet për një takim këtë javë në Uashington mes përfaqësuesve danezë, atyre të Groenlandës dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Mediat raportojnë se Kopenhaga synon të paraqitet me një qëndrim të unifikuar përpara palës amerikane.

Qeveria e Groenlandës deklaroi të hënën se “nuk mund të pranojë në asnjë rrethanë” një marrje të ishullit nga SHBA. Sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e banorëve e kundërshtojnë një skenar të tillë.
“Ne kemi qenë koloni për shumë vite. Nuk jemi gati të bëhemi sërish koloni”, tha për AFP peshkatari Julius Nielsen.

Ndërkohë, një delegacion dypartiak i Kongresit amerikan, i kryesuar nga senatori Chris Coons, pritet të vizitojë Kopenhagën këtë javë, në përpjekje për të treguar unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe Danimarkës.