
I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për Grenlandën, guvernatori i Luizianës Jeff Landry, ka akuzuar Danimarkën se po “pushton” Groenlandën në shkelje të rregullave të Kombeve të Bashkuara, duke ndezur më tej tensionet diplomatike mes Uashingtonit dhe Kopenhagës.
Deklaratat vijnë pasi vetë Trump tha të dielën se SHBA do ta marrë Groenlandën, territor autonom i Danimarkës, “në një mënyrë ose në një tjetër”. Presidenti amerikan vuri gjithashtu në dyshim aftësinë e Danimarkës për të garantuar sigurinë e ishullit më të madh në botë, duke ironizuar se ai mbrohet vetëm nga “dy saja me qen”.
Në një postim në rrjetin X, Landry theksoi se ishte SHBA-ja ajo që mbrojti Groenlandën gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Danimarka ishte nën pushtimin nazist. Ai kujtoi se prania ushtarake amerikane në ishull u vendos mbi bazën e një marrëveshjeje mes Uashingtonit dhe Kopenhagenit në prill të vitit 1941.
“Historia ka rëndësi. SHBA mbrojti sovranitetin e Groenlandën gjatë Luftës së Dytë Botërore kur Danimarka nuk mundi,” shkroi Landry. Sipas tij, pas përfundimit të luftës, “Danimarka e ri-pushtoi Groenlandën, duke anashkaluar dhe injoruar protokollet e OKB-së”.
Reagimi nga Kopenhagen nuk vonoi. Ambasadori danez në SHBA, Jesper Moller Sorensen, i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se “Groenlandën ka qenë pjesë e Mbretërisë së Danimarkës për shekuj” dhe se ky fakt është njohur vazhdimisht nga administratat amerikane, OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar.
“Vetëm populli i Groenlandës ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e tij,” theksoi ai, duke kujtuar se në referendumin e vitit 2008 një shumicë dërrmuese e grenlandezëve votoi në favor të statusit të vetëqeverisjes brenda Mbretërisë së Danimarkës.
Sorensen nënvizoi gjithashtu marrëdhënien e ngushtë mes dy vendeve, duke kujtuar se Danimarka ka qenë një nga aleatët më të përkushtuar të SHBA-së në NATO.
“Ne kemi qëndruar gjithmonë krah për krah me Shtetet e Bashkuara,” tha ai, duke shtuar se Danimarka ka humbur më shumë ushtarë për frymë se çdo aleat tjetër i NATO-s gjatë misionit në Afganistan. Në total, 43 trupa daneze u vranë në Afganistan nga viti 2002 deri në 2014, si dhe shtatë të tjerë në Irak, shkruan Rt.
“Le të vazhdojmë t’i trajtojmë sfidat e sigurisë në Arktik si partnerë dhe aleatë,” përfundoi ambasadori.
Ndërkohë, retorika e Trump për Groenlandën është ashpërsuar ndjeshëm javët e fundit. Mediat britanike raportuan se presidenti amerikan u ka kërkuar komandantëve të lartë ushtarakë të hartojnë skenarë për një pushtim të mundshëm të territorit autonom danez, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim serioz të krizës në Arktik.